Atentati në Rinas/ Del FOTO e makinës së djegur të autorëve, dyshohet për 4 bashkëpunëtorë

Mjeti që shikoni në foton e mësipërme dyshohet të jetë makina e përdorur nga autorët në atentatin e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani, dhe u plagos Muçi Shaljani, punonjës i AMP-së.
Makina e djegur tip “Toyota” u gjet në Halil të Krujës, ku gjatë kontrollit, janë gjetur katër armë zjarri kallashnikov, të cilat dyshohet se janë përdorur në atentat.
Në ngjarje dyshohet se kanë marrë pjesë katër persona, 2 prej të cilëve atentatorët, njëri shoferi i automjetit tip ‘Toyota’ nga i cili ndodhi sulmi dhe një tjetër person që dyshohet se i ka pritur në fshatin Halil me një makinë tjetër, pasi dogjën makinën e atentatit.
Sakaq bëhet me dije se makina brenda së cilës u vra Gilmando Dani i përket Elvis Kosovës i njohur ndryshe si “Visi i Garave”.
Si ndodhi atentati
Gilmando Dani, 47 vjeç, u vra pasditen e sotme te Rrethrrotullimi i Rinasit, pas pasi kishte mbërritur në Shqipëri nga Barcelona.
Burime për mediat bëjnë me dije se Dani ishte pritur në aeroportin e Rinasit nga Muçi Shaljani, i njohur si “Sheqeri”, 40 vjeç, i cili kishte për detyrë ta shoqëronte me automjet.
Pak metra pas largimit nga aeroporti, dyshohet se autorët i kanë zënë në pritë dhe kanë hapur zjarr me breshëri plumbash ndaj automjetit, duke shkaktuar vdekjen e Danit dhe plagosjen e Shaljanit, i cili ndodhet aktualisht në spital në gjendje kritike për jetën.


