Kryenin transaksione miliona dollarë edhe në Shqipëri, bllokohen 13 kazino në Meksikë

Aktualitet

Kryenin transaksione miliona dollarë edhe në Shqipëri, bllokohen

Ministria e Financave e Meksikës ka vënë në shënjestër transfertat multimilion dollarëshe të bëra nga kazinot teksa janë bllokuar 13 prej tyre.

Sipas mediave të huaja, pas muajsh hetimesh, agjencia federale ka ngrirë llogaritë bankare të lokaleve të lojërave të fatit pasi ka zbuluar dyshime për pastrim parash.

Hetimi zbuloi transaksione parash, flukse ndërkombëtare dhe përdorimin e platformave dixhitale të parregulluara.

“Disa nga këto lokale operonin me transaksione parash multimilion dollarëshe, transferta në Shtetet e Bashkuara, Rumani, Shqipëri, Maltë dhe Panama, si dhe përmes platformave dixhitale, të cilat lehtësuan shpërndarjen e fondeve të paligjshme, fshehjen e tyre dhe riintegrimin e tyre në sistemet financiare meksikane dhe ndërkombëtare”, tha qeveria meksikane në një deklaratë të lëshuar të martën.

Këtë të mërkurë, Sekretari i Sigurisë dhe Mbrojtjes së Qytetarëve, Omar García Harfuch, deklaroi gjatë konferencës për shtyp në mëngjes në Pallatin Kombëtar se në kazinotë në fjalë u zbuluan sjellje të pazakonta, transferta të parregullta parash, evazion fiskal dhe lidhje me krimin e organizuar.

 “Bazuar në këto gjetje, fillon një fazë e re parandalimi. Njësia e Inteligjencës Financiare (UIF) do të zhvillojë mekanizma zbulimi të hershëm dhe modele parashikuese bazuar në inteligjencën artificiale për të zbuluar sjellje të pazakonta që mund të dëmtojnë sistemin financiar”, tha ai.

Qeveria federale identifikoi tre mënyra operimi të përdorura nga institucionet e lojërave të fatit: përdorimi i sasive të mëdha të parave të gatshme, rrjetet që lëviznin para nga jashtë vendit dhe brenda vendit dhe operacionet dixhitale që përfshinin transferta dhe platforma pagesash për të fshehur origjinën e fondeve.

Departamenti i Thesarit deklaron se këto kompani lëvizën deri në 50 milionë peso në transaksione të pazakonta.

Lokalet e lojërave të fatit, të cilat tani janë nën hetim, operojnë në shtetet e Jalisco, Nuevo León, Sinaloa, Sonora, Baja California, Mexico State, Chiapas dhe Mexico City.

Hetimi nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Kabinetin e Sigurisë, identifikoi gjithashtu se platformat dixhitale të lojërave të fatit kanë përdorur individë me profile financiare që nuk përputhen me shumën e parave të marra.

ME TE LEXUARAT