Marrëveshja Shqipëri-Itali për pensionet: 12 milionë euro në vitin e parë, deri në 400 euro në muaj për përfituesit

Aktualitet

Marrëveshja Shqipëri-Itali për pensionet: 12 milionë euro

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e periudhave kontributive do të ketë një kosto prej 12 milionë eurosh për buxhetin italian në vitin e parë të zbatimit. Ky informacion është përfshirë në dokumentin e dorëzuar në Senatin italian, i cili mori miratimin më 5 mars dhe u nënshkrua nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, një javë më pas.

Sipas parashikimeve, ligji pritet të fillojë të ketë efekte që në muajin qershor, pas publikimit në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që disa qytetarë shqiptarë kanë nisur të dorëzojnë aplikimet. Deri në vitin 2020, 433,789 shtetas shqiptarë kishin paguar sigurime shoqërore në Itali. Në regjistrin e kontributeve, 30,614 individë, që janë aktualisht në moshën 60-69 vjeç, mund të përfitojnë pension të parakohshëm ose pension pleqërie nëse kanë plotësuar kërkesat për periudhën e kontributeve në Shqipëri dhe Itali.

Për vitin 2025, pritet që numri i përfituesve të arrijë në 6,114 individë, duke përfshirë 1,387 persona të rinj që do të shtohen në skemë, duke rritur buxhetin me 12 milionë euro. Ky numër do të sjellë një rritje të shpenzimeve që nga 39.6 milionë euro në 51.6 milionë euro, ndërsa skema e pensioneve do të përfshijë edhe ata që janë trajtuar me ligjin "Bossi-Fini" të vitit 2002, që u jep mundësi emigrantëve shqiptarë të përfitojnë pension, me kushtin e rikthimit në Shqipëri.

Kjo marrëveshje ndihmon që emigrantët shqiptarë të përfitojnë pension në të dyja vendet, duke mundësuar një trajtim të përbashkët të periudhave kontributive. Për shembull, një qytetar shqiptar që ka punuar 14 vite në Itali dhe 13 vite në Shqipëri do të marrë pension përkatësisht në Itali dhe Shqipëri. Përveç pensioneve, emigrantët mund të përfitojnë edhe skema të tjera si pensionet e invaliditetit, pensionet familjare, pagesa të papunësisë dhe ndihma për sëmundje dhe barrëlindje.

Një pjesë e individëve që janë 67 vjeç dhe që nuk kanë përfituar pension deri tani mund të përfitojnë deri në 400 euro në muaj si të ardhura.

ME TE LEXUARAT