Ministri Igli Hasani takon autoritetet britanike, forcon marrëdhëniet dhe diskuton për integrimin e Shqipërisë në BE

Aktualitet

Ministri Igli Hasani takon autoritetet britanike, forcon marrëdhëniet

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka realizuar një vizitë në Londër, ku u takua me Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Lammy, dhe Ministrin e Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret e Jashtme, Stephen Doughty. Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, përshpejtimin e shkëmbimeve parlamentare dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin evropian të Shqipërisë.

Ata gjithashtu diskutuan Samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë më 16 maj 2025, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha strategjike si energjia, infrastruktura, turizmi dhe bujqësia.

Ministri Hasani theksoi se një nga fokuset e diskutimeve ishte rritja e bashkëpunimit në funksion të sigurisë rajonale, përmirësimi i angazhimit të përbashkët në organizatat ndërkombëtare dhe inkurajimi i investimeve britanike në Shqipëri në sektorë të rëndësishëm. “Diskutuam për forcimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e investimeve britanike në Shqipëri, si dhe për mbështetje të mëtejshme për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor,” shtoi ai.

Gjithashtu, Hasani zhvilloi një takim me Karen Pierce, Dërguaren e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, për të diskutuar për angazhimin e përbashkët për forcimin e stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit, duke theksuar rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në BE për të siguruar prosperitet dhe stabilitet afatgjatë në Ballkan dhe Evropë.

Gjatë qëndrimit të tij në Londër, Ministri Hasani pati mundësinë të takohej gjithashtu me Martin Vickers, anëtar të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe me përfaqësues të Kolegjit Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes. Ai gjithashtu mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Ambasada Shqiptare në Britaninë e Madhe, ku u ndanë historitë e suksesit të Fondacionit “Butrinti” gjatë 30 viteve të tij në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

ME TE LEXUARAT