Mungesa e strukturave për orientimin në karrierë, KLSH: Procesi në arsimin parauniversitar ka dështuar
Orientimi në karrierë për individët që përfundojnë arsimin parauniversitar është një proces i rëndësishëm për t’i ndihmuar ata të bëjnë zgjedhje të informuara dhe të bazuara në aftësitë e tyre, si dhe në kërkesat e tregut të punës. Megjithatë, ky proces nuk ka qenë një pikë e fortë për institucionet arsimore në Shqipëri.
Një auditim i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), që fokusohet te "Orientimi për Karrierë i të Rinjve në sistemin arsimor parauniversitar", vlerëson se institucionet përgjegjëse për këtë proces, që fillojnë nga Ministria e Arsimit dhe arrijnë deri në strukturat e tjera të varësisë, nuk kanë qenë efikase.
Në institucionet e varësisë, si Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar, orientimi për karrierën është realizuar nga punonjës të caktuar, jashtë përshkrimit të punës së tyre dhe pa njësi të posaçme që merren me këtë proces. Në arsimin e mesëm të lartë, nuk ka struktura të angazhuara për administrimin e orientimit të karrierës, ndërsa në arsimin e mesëm të ulët ka filluar të institucionalizohet ky proces me daljen e Urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit nr. 600, datë 19.10.2023.
Sipas KLSH, kjo pamje e përshkruar ka bërë që orientimi në karrierë të mbetet një proces pa një politikë të qartë dhe pa rezultate konkrete. Kjo ka krijuar një zhvillim spontan dhe ka çuar në mbingarkesë të punonjësve të sistemit arsimor parauniversitar, duke çuar gjithashtu në moseficiencë në realizimin e këtij procesi.