Ndryshimet klimatike, Shqipëria ndër vendet më të rrezikuara! Koçiu: Duhet të jemi të bashkuar

Aktualitet

Ndryshimet klimatike, Shqipëria ndër vendet më të

Shqipëria mbetet një nga vendet më të rrezikuara në Europë nga efektet e ndryshimeve klimatike, veçanërisht nga përmbytjet dhe valët ekstreme të të nxehtit.

Gjatë konferencës rajonale “Të bashkuar për klimën”, e zhvilluar në Tiranë, ambasadorja e Zvicër në Shqipëri, Ruth Huber, theksoi se kriza klimatike nuk është më një rrezik i largët, por një realitet që po prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Ajo u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë sfida të përbashkëta, por qasje të ndryshme në përballimin dhe zbutjen e efekteve të klimës.

Sipas një raporti të Banka Botërore, Shqipërisë i duhen rreth 6 miliardë dollarë investime në dekadën e ardhshme për t’u mbrojtur nga rreziqet klimatike. Raporti paralajmëron se mungesa e masave konkrete mund t’i kushtojë vendit deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ndërkohë, “Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036” parashikon një faturë edhe më të lartë, me rreth 9.8 miliardë dollarë investime për infrastrukturë mbrojtëse, sisteme paralajmërimi dhe teknologji moderne.

Sipas dokumentit, Shqipëria ka humbur rreth 2.3 miliardë dollarë në 30 vitet e fundit për shkak të fatkeqësive natyrore.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se përballja me krizën klimatike kërkon investime reale, të dhëna të sakta dhe bashkëpunim rajonal, duke theksuar se përmbytjet, zjarret dhe thatësira nuk njohin kufij.

Klima menaxhohet nga investime reale, nga tubacione dhe diga që i qëndrojnë kohës, nga sisteme parandalimi dhe nga institucione që reagojnë në kohë. Kjo është përshtatje, jo një dokument, por një sistem që funksionon si i tërë.

E para është financimi, pasi kjo nuk është bamirësi, por financim në sigurinë e përbashkët. E dyta janë të dhënat, pasi nuk menaxhon dot atë që nuk ke të dhëna. Duhet të jemi të bashkuar, se klima nuk na lë asnjë alternativë tjetër. Përmbytjet e dimrit të kaluar nuk ndaluan në kufi për të kërkuar pasaportë; zjarret që përfshinë pyjet tona nuk pyetën nëse pyjet ishin shqiptare apo malazeze apo më gjerë në rajon; thatësira nuk konsultohet me zyrat doganore”, tha Koçiu.

 

ME TE LEXUARAT