“Nuk e dinim që kishim ende njerëz qytetarë”/ Kame: Protesta po ndryshon vendin, 35 vjet han pa porta

Pas dekadash mungese shprese dhe qeverisjeje pa një vizion të qartë kombëtar, Shqipëria po përjeton një lëvizje masive që synon të shkundë themelet e një sistemi 35-vjeçar.
I ftuar në nje studio televizive, regjisori Genti Kame, i cili u shpreh se për më shumë se tre dekada, vendi është përshkruar si një “han pa porta”, ku pushteti ka mbetur i përqendruar mes dy partive kryesore dhe lëvizjet qytetare janë keqpërdorur për rrotacion pushteti ose eksperimente të ndryshme.
” Në fund të fundit ky vend po shkundet. Nuk e kishim këtë besim, kishim filluar të humbnim shpresën.
Nuk e dinim që kishim ende njerëz qytetarë në Shqipëri.
Shikoni, Shqipëria ka 35 vjet që qeveriset pa një strukturë, pa një ide kombëtare. Pa asina të qarta kombëtare. 35 vjet ka qenë han pa porta. Dhe këto 35 vjet, këtu në Shqipëri, janë implementuar lloj-lloj rrymash politike, fetare, janë bërë shumë eksperimente.
Ka 35 vjet që pushteti është i përqendruar në vetëm dy parti dhe çdo lëvizje masive popullore që ka qenë nuk kanë qenë për ideale të tilla, mendoj unë, por për ardhjen në pushtet të njërës apo të tjetrës palë.
Dhe këto rryma mbase vazhdojnë ende në… në protestat e tilla për të përfituar diçka. Kjo ishte frika e parë, por populli u përgjigj. Dhe dolën pjesa më e mirë e popullsisë shqiptare që po e shohim sot.
Njerëzit më të qytetëruar, njerëzit më të edukuar, njerëzit më të emancipuar. Njerëzit më të lirë nga politika dhe ekonomikisht mbase. Dhe njerëzit e lirë bëjnë një vend të lirë dhe demokratik një ditë.
Ky është ai elektorati gri, mendoj unë, që ne prisnim prej vitesh që të fliste më në fund. Dhe ky masivitet jo vetëm në Tiranë, po në të gjitha qytetet kryesore të vendit edhe jashtë, i sfumon totalisht dhe i kthen në minoranca të papërfillshme të gjitha këto rryma që përmenda pak më sipër, që duan përfitime të thjeshta.
Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur dhe unë uroj, shpresoj që kjo masë popullore ta vazhdojë qëndresën e saj deri në largimin totalisht të gjithë kastës së vjetër politike në Shqipëri që ka sunduar këto 35 vjet. Shqipëria ka nevojë të marri frymë, t’i japi fund tranzicionit”, u shpreh Kame.


