"Nuk kisha dijeni për veprimet e nipit", vrasja e Astrit Kalasë! Gjon Shkambi kërkoi lirimin nga burgu, Apeli merr vendim

Gjykata e Apelit në Tiranë ka rrëzuar kërkesën e Gjon Shkambit për dalë nga paraburgimi.
Me argumentin se nuk është autori i krimit që tronditi vendin me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si dhe plagosjen e dy personave të tjerë palë në proces, Shkambi iu drejtua Apelit me ankim ndaj arrestit në burg caktuar nga Shkalla e Parë.
Gjon Shkambi pretendon se nuk ka pasur dijeni për veprimet e nipit të tij Elvis Shkambi që zbrazi armën ndaj gjyqtarit Kalaja sapo ky i fundit lexoi vendimin kundër kërkesës së tij lidhur me një konflikt pronësie.
Nipi 30-vjeçar, Elvis Shkambi, që ndodhet gjithashtu në paraburgim, nuk e kishte apeluar vendimin për të kërkuar ndryshim të masës së sigurisë.
Ditën e djeshme, Shkambi ndau një letër nga qelia ku shprehte pendesë për krimin, ndërsa rrëfente kalvarin që ka kaluar në polici, prokurori e gjykata për të marrë pronën që pretendonte se e kishte të trashëguar.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces.


