“Pjesa e ‘luanit’ shkon për pensionistët”, Rama për rritjen e pensioneve: Para Janarit, do shpërndahen edhe bonuset

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar këtë pasdite me banorët e Tiranës në Njësinë 5.
Në nisje të fjalës së tij ai është shprehur se besimi që qytetarët i kanë dhënë PS në 11 maj, i shtynë më shumë që të dëgjojnë dhe adresuar shqetësimit e të gjithë qytetarëve.
“Menjëherë pa zgjedhjeve, impakti që ka pasur te ne besimi që morëm nga qytetarët brenda dhe jashtë vendit, ka krijuar një ndjenjë shumë më të fortë detyrimi për të qenë sa më pranë njerëzve dhe për të bërë gjithçka që është e mundur që shqetësimet të dëgjohen si duhet dhe për t’i adresuar sa të jetë e mundur”, tha Rama.
Duke u ndalur te buxheti i 2026, Rama se tha se pjesa e ‘luanit’ në këtë buxhet për katër vitet e ardhshme, u adresohet pikërisht pensionistëve.
“Pjesa e luanit në buxhetin e katër viteve të ardhshme, është pjesa që më në fund i takon pensionistëve. Kam dëgjuar dhe një muhabet tjetër që nuk do japim bonusin e këtij viti… të gjithë pensionistët do të marrin bonusin që kanë marrë dhe u është premtuar. Do ta marrin përsëri para vitit të ri, sipas atyre dy fashave që i kemi sqaruar”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
“Pensioni urban brenda mandatit do të bëhet 40 mijë lekë, dhe brenda mandatit nuk do të thotë prisni katër vite dhe në fund do u themi që se bëjmë dot, por është një shumë që do të rritet vit pas viti.
Kjo vlen për pensionin rural. Të kërkosh pension është legjitime por duhet kuptuar se nga vijnë pensionet dhe ato vijnë nga sigurimet shoqërore. 1.7 miliardë euro do shpenzohen ekstra për pensionistët vitin e ardhëm”, tha Rama.


