U ekzekutua nga atentati në Rinas, ky është viktima, Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit

Gilmando Dani është viktima e atentatit të ndodhur mesditën e kësaj të marte pranë rrethrrotullimit të Rinasit.
Dani njihet si “krahu i djathtë” i Emiljano Shullazit.
Persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të një automjeti në lëvizje, duke lënë pas një të vrarë dhe një të plagosur.
Pas të shtënave makina me ngjyrë gri e autorëve është larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë Krujës. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë ndjekur makinën tip “Mercedes Benz” të viktimës për rreth 3 kilometra.
Sakaq, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA janë nisur me urgjencë në drejtim të Fushë Krujës ku dyshohet ku mund të jenë larguar autorët. Ndërkohë, autorët dyshohet se i kanë vënë flakën automjetit që përdorën për të realizuar atentatin në fshatin Halil të Krujës.
Policia ka shkuar në vendngjarje, ka rrethuar dhe ka nisur krehjen e zonës ndërsa paraprakisht po hetohet për përplasje mes grupeve kriminale.
Por kush është Gilmando Dani dhe çfarë e lidh me Emiljano Shullazin?
Gilmando Dani është konsideruar gjithnjë si person i rrezikshëm për shkak të ekspozimit të tij të shpeshtë në episode të përbashkëta me Emiljano Shullazin. Dani është akuzuar shpesh për vepra penale, konkretisht në gusht të 2009 pas vrasjes së 4 efektivëvë të policisë në Durrës nga Dritan Dajti. Pas ngjarjes, kontrolli në banesën e Gilmando Danit u bë nën dyshimet se ai mund të kishte qenë në Durrës atë ditë, por më pas policia sqaroi se Dani ka qenë në Tiranë, edhe pse nuk ishte gjetur në banesë në momentin e kontrollit.
Ndërsa, në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit. Ndërkohë, më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet.
Në atë kohë, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin. Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”.
Më pas, arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate. Gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.
Gjithashtu ndaj Danit është bërë atentat dhe dy herë më parë, por mbeti i plagosur. Ngjarjet ndodhën në vitet 2011 dhe në 2015. Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018 si pjesë e grupit të Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe më pas u lirua në vitin 2023 pasi kreu 3/4 e dënimit.


