Sapo kishte fituar titullin si “Miss”, ndërron jetë në një aksident tragjik modelja 21-vjeçare, së bashku me të dhe i dashuri i saj

Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën 21-vjeçares Alison Montaño Guerrero, e shpallur vetëm një javë më parë Miss Teocaltiche 2025, dhe të dashurit të saj, Jesús Eduardo Severiano García.
Çifti mbeti i bllokuar brenda makinës së tyre pas një përplasjeje ballore me një kamion të premten e kaluar, në autostradën Jalostotitlán–Teocaltiche në Meksikë. Ekipet e emergjencës konfirmuan vdekjen e tyre në vendngjarje.
Guerrero, e cila më 30 tetor mori kurorën e bukurisë në qytetin e saj, kishte bërë përshtypje me fjalimin plot vlera, ku u shpreh: “Bukuria e vërtetë nuk matet me kurora apo fustane, por me aftësinë për t’u sjellë të tjerëve me respekt dhe dashuri.”
E reja studionte Psikologji dhe Edukim në Universitetin e Guadalajara-s dhe përshkruhej nga mediat lokale si një studente e përkushtuar dhe shembullore.
Autoritetet e Teocaltiche-s i bënë homazh një “burimi të vërtetë krenarie”, duke theksuar: “Ajo nuk mahniti vetëm me bukurinë e saj, por tregoi gjithashtu vlera të forta dhe një karakter të jashtëzakonshëm. Trashëgimia e saj do të mbetet si një shenjë gëzimi, mirësie dhe përkushtimi.”

Ndonëse Alison mbante profil të ulët në rrjete sociale, ajo kishte mbi 5 mijë ndjekës në Instagram. Postimi i saj i fundit, vetëm një ditë para aksidentit, e tregonte me një kapelë elegante të zezë dhe një pulovër ngjyrë kafe.
Prokuroria e Shtetit Jalisco ka hapur një hetim për të zbuluar shkaqet e sakta të përplasjes.
Aksidenti vjen vetëm pak ditë pasi një ngjarje tjetër e rëndë tronditi vendin: 23 persona, mes tyre fëmijë, humbën jetën pas shpërthimit dhe zjarrit shkatërrues në një supermarket në qytetin Hermosillo, në Ditën e të Vdekurve.
Zjarri shkatërroi plotësisht dyqanin “Waldo’s” dhe dëmtoi ndërtesa përreth, ndërsa pamjet në rrjetet sociale tregonin shpërthime, flakë dhe panik mes qytetarëve. Të paktën 12 persona mbetën të plagosur rëndë.

Guvernatori i Sonora-s, Alfonso Durazo, tha se mes viktimave kishte fëmijë dhe dy gra shtatzëna, duke premtuar një hetim të plotë dhe transparent.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.


