SHBA: Irani po përgatitet të sulmojë Izraelin
Irani po përgatitet të nisë "së shpejti" një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane. Zyrtari gjithashtu paralajmëroi për "pasoja të rënda" nëse sulmi ndodh.
Njoftimi u bë i ditur pasi ushtria izraelite filloi, siç tha, një operacion të kufizuar tokësor kundër grupit Hezbollah, në Liban. Izraeli paralajmëroi banorët që të largoheshin nga disa dhjetëra fshatra kufitare të Libanit me Izraelin.
Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse kryen një sulm me raketa balistike, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë duke folur për shtypin amerikan në kushte anonimiteti.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Zyrtari tha se Teherani duket se po përgatitet të fillojë në çdo moment, një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit.
Media shtetërore e Iranit nuk ka njoftuar për ndonjë sulm të afërt. Zyrtarët iranianë nuk mund të kontaktoheshin menjëherë për një koment.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se ushtria është e gatshme të mbrohet dhe shtoi se Izraeli dhe aleatët e tij janë në një gjendje të lartë gatishmërie dhe çdo sulm nga Irani do të kishte pasoja.
Disa orë para këtij njoftimi zoti Hagari tha se ushtria izraelite kishte filluar një operacion të pjesshëm tokësor në disa fshatra kufitare libaneze.
Qëllimi i operacionit është të goditen zonat e kontrolluara nga grupi militant Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit. Grupi Hezbollah është shpallur si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
"Hezbollahu i ktheu fshatrat libaneze pranë fshatrave izraelite në baza ushtarake, nga ku mund të kryejë sulme ndaj Izraelit. Hezbollahu ishte përgatitur t'i përdorte ato si terrene për një sulm të llojit të 7 tetorit, në shtëpitë izraelite", tha Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite
Përshkallëzimi i situatës ka alarmuar disa shtete për rrezikun e shpërthimit të një lufte të gjërë.
Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy tha të martën se çmimi i një lufte rajonale do të ishte "i madh"
"Ne po flasim me kolegët dhe homologët iranianë. Askush nga ne nuk dëshiron të shohë një luftë rajonale. Çmimi do të ishte i madh për Lindjen e Mesme dhe do të kishte ndikim edhe në ekonominë globale”, tha kryediplomati britanik Lammy.
Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant e pranoi se ditët në vijim nuk do të jenë të lehta.
"Ne kemi ditë të rënda përpara nesh, ditë sfiduese dhe mendoj se kemi dërguar njerëz atje të cilëve mund t'u besojmë", tha ministri Gallant.
Të dyja palët kanë vazhduar edhe sulmet ajrore ndaj njëra tjetrës.
Një raketë e lëshuar nga Libani goditi një nga autostradat kryesore në lindje të Tel Avivit, tha policia të martën duke shtuar se tre persona janë lënduar.
Në anën tjetër, shpërthime të mëdha të njëpasnjëshme u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin libanez pak pas mesnatës të së hënës ndërsa ushtria izraelite kreu sulme në periferitë jugore të qytetit. Disa shtete kanë filluar largimin e shtetasve të tyre nga Libani.
Në një plazh në Bejrut, një grua libaneze e zhvendosur dhe vajza e saj katërvjeçare kanë gjetur strehë nën tenda të improvizuara, duke ikur nga bombardimet izraelite.
Njerëzit po vdesin dhe po shkatërrohen, fëmijët po bëhen copë”, thotë libanezja e zhvendosur Zeina Nazha.
Ndërkaq, banorët izraelitë të qytetit kufitar Kiryat Shmona mirëpritën të martën operacionin tokësor në Libanin jugor, duke shpresuar se ai do t'i lejojë ata të kthehen në shtëpitë e tyre. Ka kaluar pothuajse 1 vit prej largimit të tyre të detyruar ppër shksk të sulmeve me raketa të grupit Hezbollah.
"Kjo është pikërisht ajo që ne donim, ndoshta pak vonë, por më mirë vonë se kurrë", thotë banori i qytetit Kiryat Shmona, Omri Gigi.
Izraeli i ka dhënë goditje të rëndë grupit Hezbollah, grupit më të fuqishëm në Lindjen e Mesme që ka mbështetjen e Iranit, duke vrarë drejtuesin e tij Hassan Nasrallah në Bejrut javën e kaluar. Libani ka njoftuar për mbi 1000 të vrarë përgjatë bombardimeve disa ditore izraelite./zeri i amerikes