Gjetja e 11 personave të zhdukur gjatë luftës, Kurti: Dëshmi e krimeve çnjerëzore të kryer nga Serbia!
Kryeministri Albin Kurti, ka reaguar pas zbulimit të një varreze masive në Bishtazhin ku janë gjetur dhe identifikuar mbetjet mortore të 11 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Pas 26 pranverash në pritje e ankth të familjeve, 11 të zhdukur gjatë luftës janë gjetur dhe identifikuar në varrezën masive në Bishtazhin. Pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë i kishin rrëmbyer dhe groposur në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve,” deklaroi Kurti.
Ai rikujtoi se më 2 prill 1999, forcat serbe grumbulluan me dhunë qindra burra dhe djem shqiptarë në një fushë në Kralan, ku i mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, 86 burra dhe djem, përfshirë 11 të mitur, u ndaluan dhe që nga ajo ditë nuk u panë më të gjallë.
Disa prej tyre më vonë u gjetën në afërsi të liqenit Peruqac në Serbi, ndërsa pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, autoritetet serbe i rrëmbyen përsëri kufomat.