Plagosja dhe rrëmbimi i serbit nga forcat e ushtrisë serbe, avokati: Po tentohet të fshihet ngjarja

Milan Vukashinoviç ndodhet në gjendje të rëndë në një spital në Nish, nën mbikëqyrjen e policisë, pas një sulmi në rrethana ende të paqarta në fshatin Jelakce, brenda territorit të Kosovës. Avokati i tij, Ivan Niniç, deklaron se shteti serb po përpiqet të fshehë rastin dhe kërkon përgjigje nga institucionet e Beogradit, të cilat deri tani nuk kanë dhënë sqarime.
Sipas Niniçit, Vukashinoviç është qëlluar nga pjesëtarë të forcave serbe të sigurisë – ndoshta të ushtrisë ose policisë – ndërsa automjeti i tij është gjetur në një zonë të paarritshme të komunës së Leposaviçit.
“Ata e rrëmbyen dhe e çuan në Serbi. Fjala është për një veprim të organizuar nga strukturat serbe të sigurisë,” tha avokati. Institucionet e Kosovës konfirmojnë se sulmi është kryer nga disa persona të maskuar që kanë hyrë në territorin kosovar dhe më pas e kanë transportuar Vukashinoviçin në Nish. Hetimet mbi ngjarjen janë ende në zhvillim.
Gazetari Andrija Lazareviç thekson se informacionet për rastin janë kontradiktore: ndërkohë që avokati Niniç akuzon strukturat serbe të sigurisë, Policia e Kosovës dhe Agjencia Serbe e Sigurisë (BIA) japin versione të ndryshme për ngjarjen. Mediat proqeveritare serbe e paraqesin Vukashinoviçin si “spiun të Kosovës”, duke raportuar se BIA ka arrestuar disa persona në zonën e Rashkës për dyshime spiunazhi.
Avokati Niniç e lidh këtë rast me ngjarjet e shtatorit 2023 në Banjskë dhe paralajmëron se situata mund të ketë dalë jashtë kontrollit. Ai ka depozituar kallëzim penal kundër personave të panjohur nga ushtria ose policia serbe, si dhe kundër Milan Radoiçiçit, me të cilin Vukashinoviçi kishte pasur përplasje të mëparshme. Pas publikimit të këtyre informacioneve, Niniç ka marrë kërcënime nga një grup në Telegram të quajtur “Koridor”, që dyshohet të ketë lidhje me BIA-n dhe Milan Radoiçiçin.


