PZAP refuzon katër ankesa të subjekteve politike, LVV pritet të formojë Kuvendin dhe Qeverinë e re

Kosovë&Rajon

PZAP refuzon katër ankesa të subjekteve politike, LVV pritet të

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar katër ankesa të dorëzuara nga subjektet politike në Kosovë lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Lajmi është bërë i ditur të mërkurën, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi rezultatin përfundimtar më 15 mars. Subjektet politike kishin afat 48 orë për të paraqitur ankesa, nëse besonin se ishin shkelur të drejtat e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), fituese e zgjedhjeve dhe parti në pushtet, dorëzoi dy ankesa, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkaliëve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (PDAK-LPB) dorëzuan nga një ankesa secila.

Ankesat e LVV-së kërkonin anulimin e rezultateve të votimit me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe rinumërimin e votave në disa qendra të votimit në Skenderaj, për shkak të dyshimeve për manipulime. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e PZAP-it, duke theksuar se përpjekjet e LVV-së për të delegjitimuar procesin zgjedhor ishin të pabazuara dhe se nuk do të tolerojnë manipulime të tilla.

Përsa i përket ankesa të PDK-së, kërkesa ka qenë për rishikimin e vendimit të PZAP-it që shqiptoi një gjobë prej 4.000 eurosh për këtë parti. Ndërsa koalicioni PDAK-LPB ka kërkuar anulimin e 211 votave të partisë Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI), të dërguara me postë, dhe rinumërimin e votave, si dhe anulimin e disa votave në komuna pa banorë ashkali.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 390,000 vota, ose 42.30% të votave, dhe ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Pas saj renditen PDK me mbi 190,000 vota (20.95%), LDK me mbi 170,000 vota (18.27%), dhe koalicioni AAK-Nisma me mbi 66,000 vota (7.06%). Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka marrë mbi 39,000 vota (4.26%).

Në total, 2 milionë shtetas të Kosovës kanë pasur të drejtë vote, dhe pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 46.54%.

Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës brenda 30 ditëve. Në këtë mbledhje do të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, dhe kryetari i Kuvendit do t’i takojë LVV-së, pasi ajo ka fituar më shumë vota. Nëse LVV nuk propozon një kandidat, procesi mund të ngecë.

Pas zgjedhjes së kryetarit, presidentja e Kosovës do të detyrohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e Qeverisë. Nëse brenda një periudhe 15 ditore nuk sigurohen votat e nevojshme, presidentja mund të thërrasë për konsultime përsëri partitë politike dhe të vendosë për mandatarin e ri, nëse ai ka numrat e mjaftueshëm për të formuar Qeverinë.

Nëse Qeveria nuk formohet brenda 40 ditëve, presidentja do të shpallë dekretin për zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e vendimit.

ME TE LEXUARAT