Prokuroria: Mungesat njerëzore e teknologjike në laboratore, sjellin vonesa në hetime

Aktualitet

prokuroriProkuroria Shqiptare vlerëson se Policia Shkencore, struktura e specializuar për kryerjen e ekspertizave për hetimet penale, ka nevojë urgjente për forcimin me kapacitete njerëzore dhe teknologjike.

Mungesa e ketyrë kapaciteteve, aktualisht po bëhet shkak për vonesa në hetime të rëndësishme të Prokurorisë Shqiptare, ku, ndër të tjera janë edhe hetimi për ato që konsiderohen si “serveri i Tatimeve” dhe “pajisja e përgjimit në Ministrinë e Mbrojtjes”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ky ka qenë qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme, prezantuar nga Drejtori i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Anti-korrupsionit, Kosta Beluri, në takimin “Forcimi i kapaciteteve të Policisë Shkencore”, organizuar nga Prezenca e OSBE në Tiranë.

Prokuroria Shqiptare, në fakt, vlerëson angazhimin e stafit aktual të Policisë Shkencore, por konstaton se është shumë e nevojshme rritja e numrit të punonjësve të kësaj strukture, si edhe përmirësimi i pajisjeve teknologjike, për të rritur performancën e saj dhe, mbi të gjithë, për t’i shërbyer më së miri hetimit penal në Shqipëri.

“Kjo strukturë ka një rëndësi themelore në aktivitetin e përditshëm të organit të Prokurorisë dhe është një ndihmesë e rëndësishme për suksesin e hetimit, po të kemi parasysh  dhe vlerën e provës që ka një akt – ekspertimi cilësor”, tha Beluri.

Sipas tij,  Prokuroria Shqiptare ka rritur ndjeshëm aktivitetin hetimor, i cili kërkon domosdoshmërish kryerjen e ekspertimeve të ndryshme, në një kohë sa më të shpejtë.

“Ne, vijoi Beluri, kemi një komunikim intensiv me Policinë Shkencore për kryerjen e një numri të lartë ekspertimesh dhe kemi arritur të kuptojmë se kjo strukturë ka nevoja emergjente në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe në aspektin teknik dhe teknologjik. Për shkak të kapaciteteve jo të plota njerëzore dhe teknologjike që ka aktualisht Policia Shkencore

një numër i lartë hetimesh zgjasin në kohë dhe,  në disa raste, janë tejkaluar afatet proceduriale, gjë e cila passjell edhe pushimin e procedimeve penale”, tha Drejtori i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Antikorrupsionit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Beluri shtoi po ashtu se, “duke u nisur nga qëllimi i këtij takimi, ku ndër të tjera diskutohet edhe për mundësinë e krijimit të donacioneve për këtë strukturë, vlerësojmë se është shumë e nevojshme që të krijohen hapësirat për trajnimin mbi ekspertizat lidhur me krimet kompjuterike dhe pajisjen me infrastrukturën përkatëse në këtë fushë. Gjithashtu domosdoshmeri konsiderojme edhe përditesimin e pajisjeve teknike për lloje  të ndryshme ekspertimesh si ai kimik, daktiloskopik, grafik etj, për të  cilat  shfrytëzohet aktualisht një sistem i vënë në punë 15 vite më parë.

Shqipëria tashmë është një shoqëri teknologjike dhe rrjetet informatike janë bërë më të ndjeshme ndaj kriminalitetit”, vijoi Beluri, i cili pasqyroi edhe konkretisht ngërçin e krijuar në hetim.

“Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime për atë që konsiderohet “serveri i Tatimeve”, ku ka dyshime se është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në të dhënat tatimore. Hetimi për këtë rast është bllokuar, për faktin se, për shkak të mungesës së teknologjisë dhe kapaciteteve, Policia Shkencore fillimisht nuk arriti të konkludonte mbi faktin nëse ka pasur ose jo ndërhyrje. Në vijim, prokuroria është në pritje të disa përgjigjeve të tjera për rastin, të cilat prej disa muajsh nuk kanë mbërritur. Po ashtu, vijoi Beluri, një tjetër rast me specifikë të ngjashme, është hetimi mbi atë që konsiderohet pajisja e përgjimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe në këtë rast, nga ana e Policisë Shkencore nuk është arritur të konkludohet nëse ka pasur ose jo përgjime të paligjshme nga strukturat e kësaj ministrie. Sërish, argumenti ka qenë i njëjtë; mungesa e pajisjeve teknologjike për të përpunuar informacionin e vlefshëm për hetimin”, theksoi Drejtori i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Antikorrupsionit në Prokurorinë e Përgjithshme

Ai mbylli fjalën e tij duke thënë se përmendja e këtyre rasteve vjenë si nevojë  për të kuptuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e rritjes së kapaciteteve të Policisë Shkencore në Shqipëri.

ME TE LEXUARAT