Dixhitalizimi audioviziv, Raunig: Angazhim politik që të arrihen afatet ndërkombëtare

Politikë

rauningKryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, deklaroi sot se, nevojitet angazhimi i fortë politik i drejtuesve të vendit në mënyrë që Shqipëria të bëjë dixhitalizimin e transmetimeve audiovizive brenda afatit ndërkombëtar.Në fjalën e tij në tryezën e rrumbullakët “Komunikimi dixhital – shfrytëzimi maksimal i spektrit; mundësitë dhe sfidat”, ambasadori Raunig theksoi se, dixhitalizimi ofron mundësinë për një fushë transmetimesh të rregulluar.

“Tregu i ri i transmetimeve duhet të karakterizohet nga shanse të barabarta për të gjithë aktorët e medias. Ai duhet të ofrojë një mjedis biznesi transparent, pa monopole apo pozicione të privilegjuara. Kjo garë e ndershme e mediave komerciale duhet të japë garancinë që media audiovizive nuk do të jetë vetëm një sipërmarrje biznesi fitimprurëse, por do të përmbushë dhe rolin shoqëror dhe përgjegjësinë themelore të medias, të ruajë demokracinë dhe t’u shërbejë interesave të të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Raunig.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas Kryetarit të Prezencës së OSBE-së, dixhitalizimi ofron edhe mundësinë për një fillim të ri të Radio-Televizionit Shqiptar për t’u shndërruar në një transmetues publik të vërtetë, një shndërrim që është i vonuar. “Ka dy vjet që partitë parlamentare nuk po arrijnë të zbatojnë legjislacionin në fuqi e të zgjedhin këshillin e ri drejtues të RTSH-së. Kjo ka bllokuar procesin e shndërrimit të RTSH-së në një transmetues ekonomikisht të qëndrueshëm, editorialisht të pavarur dhe plotësisht profesional, që kontrollohet nga publiku, financohet nga publiku dhe bëhet për publikun,” tha Raunig.  “Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme që të ndihmojë këtë shndërrim të transmetuesit publik. Për këtë, ajo po bashkëpunon me Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU) dhe është e gatshme të mbledhë një konsorcium më të madh të organizatave ndërkombëtare për të mbështetur autoritet shqiptare. Tani, nisma dhe përgjegjësia për të bërë përparim të shpejtë në këtë çështje janë të Kuvendit”, përfundoi Raunig. Në tryezën e sotme foli edhe Juan Barata, këshilltar i Përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç.

ME TE LEXUARAT