Dy qeveritë nënshkruajnë 11 marrëveshje bashkëpunimi

Politikë

mbledhjaaaQeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës angazhohen përmes 11 marrëveshjeve, memorandumeve dhe protokolleve të thellojnë partneritetin strategjik në disa fusha të rëndësishme, si në fushën e sigurisë, shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit, për bashkëpunim financiar, për lehtësimin tregtar, në bujqësi, kulturë, në fushën e arsimit, etj.

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili prezantoi edhe dokumentin për partneritetin strategjik, e cilësoi atë një dokument të një rëndësie historike për ne dhe për rajonin, me një impakt të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve. Bushati vuri në dukje se destinacioni i dy vendeve është Bashkimi Europian, ndërsa shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur Kosovën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Anëtarësimi i dy vendeve tona në Bashkimin Europian dhe ankorimi euroatlantik, janë prioritetet kryesore të Shqipërisë dhe Kosovës, në politikën e tyre të jashtme”, tha Bushati. SIpas tij, bashkëpunimi dypalësh në fushën e sigurisë mes nesh është shumë i rëndësishëm, në situatën e fundit të krijuar në botë. Bushati u shpreh se, Konferenca e Berlinit është ogur i mirë për transformimin e Ballkanit nga pikëpamja e sigurisë dhe projekteve të ndryshme, që do të sjellin edhe përmirësimin ekonomik të dy vendeve tona.

“Më shumë se marrëveshjet që nënshkruajmë sot, ka rëndësi cilësia e bashkëpunimit mes nesh, që janë një sinjal shumë i mirë jo vetëm për shqiptarët në vendet tona, por edhe për bashkëkombasit tanë në diasporë”, tha Bushati.

Ndërsa Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi punën e bërë nga qeveria e Shqipërisë në lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës, Me tej, ai tha se, Shqipëria po ashtu ka ndihmuar në anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare.

“Kosova dhe Shqipëria përgëzojnë Bashkimin Europian për qasjet që ajo ka marrrë për të vazhduar procesin e integrimit me Bosnjë Hercegovinën dhe mbështesin prespektivën europiane për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Ne mbështesim fort faktorin shqiptar në Maqedoni, në përpjekjen e madhe që bën për të mbajtur të palëkundur orientimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë për të shtyrë përpara reformat politike”, deklaroi Thaçi.

Në mbledhjen e dytë të përbashkët të Qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, e cila u zhvillua paraditen e sotme në Pallatin e Kongreseve u nënshkruan 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle të cilat janë:

1. Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.

2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.

3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.

4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.

5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.

6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.

7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.

8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.

9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.

10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.

11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.

Kryeministria shqiptare ka zgjedhur si moto të kësaj mbledhjeje tre fjalë: “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”

ME TE LEXUARAT