gazetashqip

“Breshëri plumbash”, ish-dhjetoristët: Azem Hajdari u vra nga të paktën 50 forca policie

Në Tiranë, autoritetet dhe politika përkujtuan sot 21-vjetorin e vrasjes së udhëheqësit të protestave anti-komuniste të dhjetorit 90, Azem Hajdari. Protagonistë të atyre protestave dhe të dënuar politikë gjatë diktaturës pohojnë se ende sot idealet e zotit Hajdari nuk janë përmbushur.

Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana:

Përfaqësues shtetëtorë dhe politikë nderuan sot me lule e kurora në Tiranë deputetin e ndjerë Azem Hajdari, udhëheqësin e lëvizjes antikomuniste të Shqipërisë të dhjetorit 90, dhe kryetarin e parë të partisë së parë opozitare pas gjysmë shekulli diktaturë komuniste.

“Ishim në kamp internimi, kur dëgjaum te Zëri i Amerikës se në krye të protestave ishte Azem Hajdari, një djalë 27 vjeçar nga Tropoja është në krye të studentëve. Me thënë të drejtën, ishin momente të papërsëritshme. Azemi ishte një djalë i guximshëm, sepse e dinim mirë se çfarë terrori ishte dhe si ka qenë komunizmi. Në Shqipëri” – thotë Simon Miraka, ish i dënuar politik i regjimit komunist.

Zoti Hajdari u vra me armë zjarri gjatë një atentati të mir-organizuar në oborrin e selisë qendrore të partisë demokratike, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, nga një grup autorësh me mjete dhe emërtesa të policisë shtetërore.

“Themeluesi i pluralizmit politik vritet nga të paktën 50 forca policie, siç e përshkruan prokuroria e asaj kohe, dhe derdhen mbi një mori plumbash nga armët e policisë së shtetit. Vritet simboli i demokracisë, i qëndresës i guximit, i kurajos dhe prej atëherë e sot ne jemi pa shpresë, pa besim, pa kurajo, të shpërndarë; jemi në gjendjen më të keeqe të mundshme që ka përjetuar ndonjëherë demokracia në këto 30 vite” – thotë Bislim Ahmetaj, një nga protagonistët e protestave studentore të viteve 90.

Protagonistë dhe vëzhgues të jetës politike në Shqipëri pohojnë se vrasja e deputetit të opozitës Azem Hajdari ishte mbyllja tragjike e jetës së tij plot sakrifica kundër regjimit komunist, që po rrëzohej nga vrasjet e shumta dhe varfërimi i shqiptarëve gjatë diktaturës.

Por, idealet e studentit Azem Hajdarit për demokraci dhe ekonomi të lirë, këmbëngulja e tij për ligje në dobi të zhvillimit dhe mirëqenies të atdheut kanë mbetur në mes të rrugës, pohojnë ata.

“Azemi ishte një njeri i papërsëritshëm me atë kurajo e guxim, dhe është për të ardhur keq që idealet e tij demokratike nuk janë realizuar. Ende ka në administratën e lartë njerqëz që kanë qenë pjesë e administratës së lartë të periudhës diktatoriale” – tha zoti Miraka.

Azem Hajdari u nderua sot nga politikanë të majtë e të djathtë, nga parlamenti dhe presidenca, opozita dhe miqtë; familjarë të tij mikpritën nderimet edhe në varrezat e dëshmorëve të kombit edhe në memorialin pranë vendit ku ai u ekzekutua, ndërsa pikëpamjet dhe veprimet e tij për demokraci nde nuk janë trajtuar gjerësisht në qarqet politike të vendit.

“Sot jemi më keq se në vitin 1989. Sot në krye të parlamentit është një person që ka qenë ministër i brendshëm në kohën e diktaturës. Atëherë çfarë mund të kërkosh në institucione të tjera, që burojnë nga parlamenti. Institucioni kryesor i shtetit, parlamenti udhëhiqet nga ish ministri i brendshëm i kohës së diktaturës. Pas kësaj është e kotë të kërkosh operativa të Sigurimit të Shtetit, që kanë mbushur vendin në të gjitha anët” – tha zoti Ahmetaj.

Deputeti i ndjerë Azem Hajdari humbi jetën nga plumbat e shumtë të një atentati me armë zjarri në sheshin para selisë së Partisë Demokratike, pak vite pasi udhëhoqi protestat studentore anti-komuniste në fillim të viteve 90. Për afro një dekadë veprimtari politike, ai mbeti deputet I thjeshtë, nuk kërkoi karrierë shtetërore dhe gjithmonë mbështeti lëvizjet për të drejtat e ish-të dënuarve politikë, ish-pronarëve, sindikalistëve dhe qarqeve të biznesit dhe organizatave për të drejtat njerëzore./VOA

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close