Bota

Turqia kthen luftetaret e huaj ne vendet e tyre

Turqia e ka dëbuar në Shtetet e Bashkuara, një shtetas amerikan, i dyshuar si pjesëtar i grupit militant ekstremist, Shteti Islamik.
Transferimi i tij për në SHBA është bërë pasi Greqia refuzoi hyrjen e tij në territorin e saj.
Autoritetet turke po i dëbojnë nga veriu i Sirisë, të dyshuarit si militantë të Shtetit Islamik, në vendet e tyre të origjinës.
Njëri nga të dyshuarit, shtetas amerikan me prejardhje arabe, ka kërkuar që të dëbohet në Greqi, por autoritetet greke e refuzuan kërkesën e tij.
Ky person kishte mbetur i ngujuar në rajonin midis Turqisë dhe Greqisë.
Duke folur para gazetarëve në Ankara, ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soyl tha se i dyshuari është dërguar në Shtetet e Bashkuara përmes transportit ajror nga Stambolli.
Ai bëri të ditur se edhe tre luftëtarë tjerë të Shtetit Islamik janë dërguar në vendet e tyre të origjinës, mirëpo nuk e saktësoi se në cilat vende.
Turqia filloi të dëbojë luftëtarët e huaj që gjendeshin në veri të Sirisë, pasi shumë vende evropiane ngurronin t’i pranonin ata.
Ankaraja zyrtare disa herë iu ka bërë thirrje vendeve tjera të tërheqin qytetarët e tyre nga veriu i Sirisë.
Rreth 10 mijë militantë të burgosur dhe dhjetra mijëra anëtarë të familjeve të tyre, po qëndrojnë në burgje dhe kampe në verilindje të Sirisë. Ata mbahen nga forca kurde që janë aleate të Shteteve të Bashkuara.
Mirëpo qindra luftëtarë të huaj, ranë në duart e forcave turke, pas ofensivës së Turqisë në veri të Sirisë e cila kishte për qëllim të dëbojë forcat kurde.
Më 14 nëntor sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u bëri thirrje anëtarëve të koalicionit që luftojnë grupin militant ekstremist Shteti Islamik (IS), që të kthejnë në vendet e tyre xhihadistët, dhe të rrisin fondet për të rindërtuar infrastrukturën në Irak dhe Siri, vende këto të shkatërruara nga konflikti.
“Anëtarët e koalicionit duhet të kthejnë prapa mijëra luftëtarë të huaj terrorist, dhe ti mbajnë në përgjegjësi për mizoritë që kanë kryer”, tha Pompeo në hapje të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve që e përbëjnë koalicionin ndërkombëtarë në luftë kundër Shtetit Islamik./REL

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close