Walker: Deklarata e Vuçiçit është propagandë e Serbisë

Kosovë&Rajon

Ish-ambasadori i misionit të OSBE’së William Walker, ka thënë se nuk është aspak i befasuar lidhur me deklarimet e zyrtarëve nga Beogradi.

Walker, i cili gjatë luftës kishte alarmuar botën për masakrën e Reçakut, në një deklaratë ka thënë se kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të Beogradit bëjnë deklarime të tilla.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Kjo nuk është hera e parë që në 20 vjetët e fundit që zyrtarë nga Beogradi më kanë quajtur me emra të ndryshëm dhe kanë bërë trillime rreth asaj se çfarë ka ndodhur në Reçak. Ka dëshmi të shumta se kjo ka ndodhur. Unë kam qenë pjesë e varrimit të 40 e më shumë njerëzve të cilët ishin vrarë dhe masakruar atje. Kemi bërë një hetim dhe hetime të tjera janë bërë gjithashtu për këtë masakër e të gjitha kanë ardhur në përfundimin e njëjtë, sikur ajo çfarë kam thënë unë. Më vjen keq që zotëri Vuçiq nuk pajtohet me këtë dhe që mendon ndryshe. Në 20 vjetët e fundit, vazhdimisht qeveria në Beograd ka tentuar të mohojë atë se çfarë kanë bërë forcat e tyre policore në fshatin e pambrojtur të Reçakut”, ka thënë Walker.

Megjithatë, Walker thotë të jetë tejet i shqetësuar me mosdënimin e personave të cilët kryen këtë masakër, derisa thotë se nuk pret që Serbia të dënojë deklarata të tilla fyese.

“Masakra e Reçakut ishte bërë nga forcat e sigurisë nga Beogradi dhe kushdo që ka qenë përgjegjës për atë masakër, duhet të dalë para drejtësisë. E di që kjo ende nuk ka ndodhur dhe kam frikën se Serbia pretendon se që kjo masakër është mashtrim i rrejshëm. Por, mendoj se bota e di më mirë”, ka thënë për KTV-në ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke folur për dënimin e ish-ministrit Ivan Todosijeviq, e quajti vetë masakrën e Reçakut trillim e të inskenuar nga Walker.

Zyrtari i Listës Serbe, ndërkaq, u dënua me 2 vjet burgim, pikërisht se kishte bërë deklaratën e njëjtë për këtë masakër.

Megjithëkëtë, Prokuroria Speciale nuk ka dhënë informata nëse për deklarimet e Vuçiqit do të mund të nisë një hetim.

Por, një avokat i cili përfaqësoi një familje që pati viktima në masakrën e Reçakut, ka ushtruar tashmë kallëzim penal ndaj president të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Mirëpo, avokati Arianit Koci thotë se institucionet e drejtësisë do ta kenë të vështirë ta hetojnë presidentin e Serbisë për këtë deklaratë.

Deklarimet e Aleksandër Vuçiqit i ka dënuar ndër të tjerë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

ME TE LEXUARAT