Erion Veliaj jep urdhrin e parë nga qelia, pasi Gjykata Kushtetuese e ktheu në detyrë

Pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese mori vendimin që Erion Veliaj të rikthehet në detyrën e kryetarit të bashkisë, ai ka filluar të japë edhe urdhrat e para nga qelia.
Kështu, kryebashkiaku ka urdhëruar nisjen e dekorimit të Tiranës me rastin e festave të fundvitit.
Sipas urdhrit të tij, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara për këtë qëllim.
Në dokument theksohet gjithashtu se, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, të merren masa për dekorimin e godinave të ministrive sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.
Kujtojme qe Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Kryetarja e GJK, Holta Zaçaj tha se vendimi u mor me shumicë dhe se shumica e gjeti vendimin e Këshillit të Ministrave të papajtueshëm me Kushtetutën.
“Po kështu, Gjykata, vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese”, thuhet në njoftim.


