"I ngule thikën pas shpine PD-së", zbardhen debatet e Flamut Nokës me Bashën për Berishën

Politikë

"I ngule thikën pas shpine PD-së", zbardhen debatet e Flamut

Lulzim Basha shprehet i prerë duke hedhur poshtë çdo mundësi për të thirrur Kuvendin Kombëtar që të shprehet për vendimin e tij personal të përjashtimit nga grupi parlamentar të Sali Berishës.

Nga mbledhja e kryesisë së grupit që ka zgjatur për afro dy orë, Tv Klan mësoi se deputeti Flamur Noka ka debatuar me kryedemokratin, duke e cilësuar thikë pas shpine largimin e Berishës pa u pyetur më parë forumet dhe strukturat e partisë.

“Vendimi ndaj Berishës ishte një thikë pas shpine për të gjithë demokratët. Ai i duhej lënë forumeve, pasi vetëm vendimi i anëtarësisë e mban të bashkuar Partinë Demokratike. Ke shkelur statutin, vendimin duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar”, tha Noka.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë grupim antiamerikan nën siglën e PD-së. Nuk do të ketë Kuvend të Partisë Demokratike që vë në diskutim vendimet e qeverisë amerikane”, u shpreh Basha.

Ky debat në mbledhjen e kryesisë së grupit vjen pak ditë pasi Berisha paralajmëroi nga turi i takimeve me demokratët e Tiranës mbledhjen e firmave të 1500 delegatëve për të thirrur Kuvendin Kombëtar, e teksa një pjesë e kryesisë së forumit rinor të demokratëve ka kërkuar mbajtjen e një referendumi.

Mësohet se në debat me kreun e demokratëve, deputeti Flamur Noka e ka akuzuar Bashën se me këtë vendim ka përçarë Partinë Demokratike, duke vënë në pikëpyetje rrugën që ka hyrë PD-ja dhe fatet e saj.

Por kryedemokrati është shprehur se nuk ka më kthim pas lidhur me vendimin e tij për largimin nga grupi parlamentar të Sali Berishës.

Pas mbledhjes, Partia Demokratike i quajti “spekulime” citimet që kanë dalë në media. Zyra e shtypit në PD tha se kryetari i Partisë Demokratike në asnjë moment nuk e ka etiketuar anëtarësinë, si antiamerikane, duke e quajtur ketë një trillim të qëllimshëm nga ata që prej kohësh keqpërdorin gjithçka për interesa personale.

Sqarimi vazhdon duke cituar Bashën, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të jenë aleati i Partisë Demokratike për një Shqipëri të zhvilluar dhe demokratike dhe askush nuk mund ta cenojë aleancën dhe partneritetin mes Partisë Demokratike dhe SHBA-ve.

Pas takimit, Enkelejd Alibeaj u tregua i rezervuar për mediat, duke folur për një armik të vetëm në betejën me maxhorancën.

“Armiku i vetëm i shqiptarëve është Edi Rama. Me atë do luftojmë të gjithë, me strategji dhe me çdo mjet tjetër.”

Pak ditë më parë Sali Berisha nis takimet me anëtarësinë, duke i ftuar demokratët që ta rrëzojnë Lulzim Bashën nga karrigia e kryetarit, të cilin e akuzon se u nguli thikë pas shpine atij dhe demokratëve me përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

Pas Tiranës, Berisha ka paralajmëruar se foltoren e tij për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur do ta vijojë të martën në orën 18:00 të pasdites me anëtarësinë e Fierit.

Lideri historik i demokratëve i ka bërë thirrje anëtarësisë që të mos votojnë një humbës përsëritës që e ka çuar nga disfata në disfatë Partinë Demokratike, të cilin njëherazi e akuzon për pazar me Kryeministrin Rama për karrigen e tij./tv klan

ME TE LEXUARAT