Tritan Shehu: E rrezikshme të lidhim integrimin tonë europian me atë të Serbisë

Politikë

Tritan Shehu: E rrezikshme të lidhim integrimin tonë europian me

TIRANË
Deputeti i PD-së Tritan Shehu e ka uruar sot kryeministrin Edi Rama për duartrokitjet që sipas tij mori dje në parlamentin e Serbisë. Shehu deklaroi në seancën e sotme në Kuvend se ndërsa Rama dje bënte avokatinë e ‘Ballkanit të hapur’, edhe Vuçiçi vetë e kishte lënë në vetmi duke marrë rrugën për në Moskë.

“’Urime’ Ramës për duartrokitjet e gjata që mori dje në Parlamentin e Serbisë si zëdhënës i projektit të Vuçiç “Ballkan i hapur” për krijimin e “Jugosllavisë së Re”.
Nuk i merr as në Prishtinë, as në Podgoricë, as në Sarajeve e tashti as në Shkup ato ovacione.
Ndërsa Rama dje bënte avokatinë e atij projekti, edhe Vuçiçi vetë e kishte lënë në vetmi duke marrë rrugën për në Moskë.
Mbështes marrëveshjen IPA, Procesin e Berlinit, marrëveshje të Brukselit, kontrolluar, financuar e garantuar nga ai, me të barabartë të gjithë ne, edhe Kosovën. Këto janë të kundërta nga Projekti i Vuçiç për “Ballkanin e Hapur”, që na degdisin në Lindje dhe krijojnë hegjemonizmin serb në rajon”, tha Shehu.

Ai theksoi më tej se ky projekt nuk ka mbështetjen e BE, as të vendeve anëtare.
“Nuk mbështetet as nga SHBA, që qartësisht mbështesin ato projekte që i bashkojnë të gjitha vendet e Rajonit, ndërsa ky “Ballkan i hapur” po i ndan edhe më shumë.
Kjo qeveri veçse krijon kështu konfuzion edhe te partnerët duke u bërë tellall i projekteve të Serbisë, firmëtare edhe e Unionit EuroAzian të Rusisë.
Ne duhet të koncentrohemi te projektet Komunitare, ndryshe rrezikohemi të na përsëriten tragjeditë historike të së kaluarës, largimi nga Europa e Perëndimi gjatë pushtimeve otomane e komuniste”, deklaroi Shehu.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ai u shpreh se është e rrezikshme të lidhim qëllimisht integrimin tonë europian me atë të Serbisë, që ka një këmbë e gjysmë në Moskë.
“Ne duhet të plotësojmë standardet europiane nëpërmjet projekteve europiane për t’u zhvilluar e integruar. Integrimi është një proces individual.
Integrimin tonë nuk ka pse ta ngatërrojmë me problemet e MV me Bullgarinë.
Akoma më e rrezikshme është të lidhim qëllimisht integrimin tonë europian me atë të Serbisë, që ka një këmbë e gjysmë në Moskë”, tha Shehu.

ME TE LEXUARAT