Momenti që humbi J.Lo, rrëfen pse nuk u ngjit në skenën historike të VMA 2003

Këngëtarja dhe aktorja Jennifer Lopez ka treguar në një intervistë televizive se ka qenë shumë pranë pjesëmarrjes në një nga performancat më të famshme të historisë së muzikës pop, atë të Madonna-s, Britney Spears dhe Christina Aguilera në MTV Video Music Awards 2003.
E ftuar në emisionin “Watch What Happens Live with Andy Cohen”, Lopez kujtoi se ishte planifikuar fillimisht të ishte pjesë e skenës, por angazhimet në xhirimet e filmit “Shall We Dance?” e penguan të merrte pjesë në event.
Ajo tregoi se kishte marrë pjesë edhe në provat paraprake dhe kishte kaluar kohë me Madonna-n dhe Britney Spears para ceremonisë.
"Isha duke xhiruar në atë periudhë dhe nuk më lejuan të largohesha për të qenë në shfaqje. Kam qenë edhe në prova dhe kemi kaluar kohë bashkë në shtëpinë e Madonna-s."-shtoi ajo.
Lopez kujtoi se në atë kohë kishte vizituar shtëpinë e Madonna-s, ku ishte bashkë me këngëtaren dhe Britney Spears, duke përshkruar një atmosferë provash dhe përgatitjesh për performancën.
Sipas saj, Madonna kishte konceptuar një numër të veçantë skenik ku ajo do të ishte pjesë, por për shkak të angazhimeve filmike, u tërhoq nga projekti.
Në skenën e MTV VMA 2003 përfundimisht u ngjitën Madonna, Britney Spears dhe Christina Aguilera, duke krijuar një nga momentet më të komentuara të muzikës pop, veçanërisht për puthjen që u bë virale dhe u diskutua globalisht.


