Parashqevi Simaku dedikim të ndjerë për djalin: Rrethanat na ndanë, jo dashuria, më flet si i huaj

Parashqevi Simaku mbetet ende një ndër ikonat e muzikës shqiptare edhe pas vitesh shkëputje nga tregu muzikor shqiptar. Këngëtarja e cila tashmë jeton në Amerikë , së fundmi është përfolur shumë në media për historinë e saj të trishtë , jetesa si e pastrehë dhe ndarja nga i biri.
Edhe pse tashmë , jeta e saj është më e stabilizuar pas disa ndihmave, Parashqevi Simaku mbetet ende në një gjendje jo të mirë shëndetësore dhe ekonomike. Kështu është shprehur edhe biznesmeni shqiptar Elton Ilirjani, i cili e ka ndihmuar gjatë periudhës së vështirë . Ndërkohë ai ka bërë edhe thirrje për institucionet për ta ndihmuar më tej këngëtaren shqiptare.
Ajo vetë ka rrëfyer përmes një statusi në rrjetet sociale për marrdhënien e ftohtë me të birin, dashurinë e munguar prej rrethanve, dhe pritjen e saj për dashurinë e tij. Me nota të forta dashurie dhe dhimbje, e cila duket si një thirrje për të birin, këngëtarja ka prekur zemrat e ndjekesve te saj.
Statusi I plotë :
Luke, biri im… më dhemb çdo ditë kur nuk të kam pranë. Kanë kaluar 11 muaj që nuk të kam parë, dhe kjo erdhi pas gati një dekade që nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Çdo ditë pa ty është një plagë që nuk shërohet. Rrethanat na ndanë, jo dashuria. Ndoshta jeta nuk na la mundësi të qëndronim bashkë, por të dish se unë do të jetoja me ty edhe në gjemba, vetëm të ishim pranë njëri-tjetrit.
Edhe ato tre herë që kemi folur në telefon, fjala jote ishte e ftohtë, si e drejtuar ndaj një të huaji, jo ndaj nënës që do jepte jetën për ty. E megjithatë, çdo fjalë e jotja, sado e largët, për mua kishte peshën e botës.
Ende kujtoj momentin kur më përqafove — ishte sikur bota ndaloi për pak çaste. Aty ndjeva se gjithçka kishte kuptim, se çdo vuajtje bëhej më e lehtë kur të kisha afër.
Nuk të mbaj inat, as nuk të gjykoj. Vetëm të dua, në heshtje, siç di ta dojë një nënë. Edhe nëse më mohon, unë do të jem gjithmonë nëna jote, Luke — ajo që të pret, që të fal, dhe që s’pushon kurrë së dashuruari.
Mos harro, biri im, një ditë edhe ti do të bëhesh prind. Atëherë do ta kuptosh se çfarë ndjen një nënë, se sa shumë do të kalonte oqeane dhe vite të tëra vetëm që fëmija i saj të ishte i lumtur.


