Plisat: Policia na kërcënoi dhe na rrahu gjatë bastisjes

Kosovë&Rajon

plisatGrupi i tifozëve “Plisat”, ka reaguar kundër bastisjes së Fan Clubit nga Policia e Kosovës që arrestoi dy persona nën arsyetimin se kanë marrë pjesë në protestën e 27 janarit që u organizua kundër Aleksandar Jabllanoviqit dhe për mbrojtjen e Trepçës.

“Plisat” në një komunikatë për media, kanë theksuar se njësiti special i PK-së ka bastisur Fan Clubin për të arrestuar pjesëmarrësit e protestës, por sipas tyre, gjatë bastisjes policia ka rrahur persona që kanë qenë të pranishëm në Club dhe disa të tjerë që nuk kanë qenë pjesëmarrës në protestë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Sot për ne ishte një ditë jo e zakonshme, nën arsyetimin se kanë marrë pjesë në protestë edhe pse kjo është drejtë e pakontestueshme e garantuar me kushtetutë dhe ligjet e Republikës së Kosovës sot Policia e Kosovës ka bastisur Fan Clubin e tonë në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

“Njësia Speciale e PK-së ka hyrë në Fan Club-in tonë pa prezantimin e asnjë autorizimi dhe në mënyrë vulgare dhe brutalisht kanë rrahur të gjithë personat që kanë qëlluar në Fan Club (rreth shtatë/tetë persona) madje edhe persona të cilët nuk kanë qenë fare në protesta e as pro protestave”.

“Plisat” kanë thënë se janë kërcënuar nga Policia nëse ata lajmërojnë rrahjen në media ose nëpër spitale.

“Nën kërcënimet se nëse e lajmërojmë rrahjen në media ose në spital ‘kanë për të na shkërdhy në një fjalë gjithë familjen”. PK ka shoqëruar dy përsona të cilët i ka dërguar në mbajtje, në stacionin policor në Prishtinë”.

Viktimë e dhunës brutale të PK-së ka qenë edhe portieri i KF Prishtinës, Kushtrim Mushica i cili rastësisht ka qëlluar në Fan Club.

“Dhuna e PK-së është e filmuar me kamerë GO PRO dhe nëse e njejta video shfaqet në publik ne jemi të sigurtë se do të nxis shumë kënd që qysh sonte do të ngriten kundër dhunës policore ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe jo të pres ditën e mërkurë”, thuhet në komunikatën e tifozëve “Plisat”.

“Për fund përsërisim qëndrimin tonë se Plisat janë tifoz të klubeve sportive me emrin Prishtina dhe asgjë më shumë se kaq dhe sa i përket pjesëmarrjes në proteste ose jo, ne nuk mund të kontrollojmë jetën personale të askujt dhe anëtarët tonë vendosin të pavarur”.

ME TE LEXUARAT