Telegram përfiton nga rënia e Facebook: U shtuan 70 milionë përdorues të rinj

Teknologji

Telegram përfiton nga rënia e Facebook: U shtuan 70 milionë

Aplikacioni për mesazhe, Telegram, ka fituar rreth 70 milionë përdorues të rinj gjatë periudhës sa ka qenë jashtë funksionit aplikacioni Facebook më 4 tetor, ka thënë themeluesi i tij Pavel Durov. Të hënën, miliona njerëz nuk kanë pasur akses në Facebook, Instagram, Messenger dhe WhatsApp për gati gjashtë orë.

Facebook ka thënë se disa ndryshime në konfigurim kanë qenë fajtore për këtë mosfunksionim.

“Mesatarja ditore e rritjes në Telegram ka tejkaluar normën dhe ne kemi mirëpitur 70 milionë persona nga platformat tjera në një ditë”, -ka thënë Durov në një postim në Telegram. Durov ka thënë se disa përdorues në Shtetet e Bashkuara mund të jenë përballur me shpejtësi më të vogël, ndërkohë që miliona persona kanë tentuar të hapin llogari.

Komisionarja e Bashkimit Evropian për Konkurrencë, Margrethe Vestager, ka thënë se bllokimi ka demonstruar pasojat e mbështetjes në disa lojtarë të mëdhenj dhe ka theksuar nevojën për më shumë rivalë. Rusia ka thënë se incidenti ka treguar se Moska ka pasur të drejtë kur ka kërkuar të zhvillojë platformat e saj në internet, ashtu si edhe rrjetet sociale, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

ME TE LEXUARAT