Administrata dhe qytetarët e Divjakës vijojnë protestat kundër reformës territoriale

Administrata dhe qytetarët e Divjakës kanë vijuar për të katërtën ditë radhazi protestat kundër reformës territoriale, e cila, sipas tyre, parashikon bashkimin e Bashkisë së Divjakës me Lushnjën.
Në protestë marrin pjesë qytetarë me bindje të ndryshme politike, të cilët shprehen se kundërshtojnë shkrirjen e bashkisë, duke argumentuar se Divjaka nuk plotëson asnjë nga kriteret për një ndryshim të tillë administrativ.
Gjatë tubimit janë artikuluar edhe kërkesa politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit deklarojnë se do t’i vazhdojnë protestat deri në anulimin e vendimit për shkrirjen e Bashkisë së Divjakës.
Pas fjalimeve të mbajtura në sheshin qendror të qytetit, protestuesit marshojnë përgjatë aksit hyrës të Divjakës, duke bllokuar për disa minuta qarkullimin e automjeteve.
Protestat zhvillohen çdo mbrëmje, nga ora 20:00 deri në 23:00.