Aeroplanmbajtësja amerikane ankorohet në Adriatik

Aktualitet

Aeroplanmbajtësja amerikane ankorohet në Adriatik

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Gerald R. Ford ankorohet në portin kroat të Splitit në Adriatik për të kryer disa riparime. Mediat ndërkombëtare raportojnë se anija luftarake më e re dhe më e madhe në botë e këtij lloji po operonte në Detin e Kuq në mbështetje të operacionit “Tërbim epik”, kur më 12 mars shpërtheu një zjarr në lavanderinë kryesore, duke plagosur tre marinarë. Incidenti nuk kishte lidhje me luftën ndaj Iranit.

Qindra marinarë të tjerë morën ndihmën e parë pasi shfaqën probleme për shkak të tymit, ndërsa për zjarrin u deshën orë përpjekje për ta vënë nën kontroll.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, anija luftarake ka qenë e vendosur për nëntë muaj dhe ka marrë pjesë në operacione kundër Venezuelës në Karaibe, përpara se të mbërrinte në Lindjen e Mesme. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka shfaqur probleme në sistemin e ujërave të zeza, që përfshin rreth 650 tualete.

Para se të nisej për në Kroaci, anija bëri një ndalesë të shkurtër në Gjirin e Sudës në ishullin grek të Kretës.

Vizita shënon një hap tjetër në partneritetin afatgjatë të mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Kroacisë, të dyja aleate brenda NATO-s, tha Ambasada Amerikane në Zagreb në një reagim për ankorimin e luftanijes gjigante.

Më tej thuhet në deklaratë se gjatë qëndrimit të saj në Split, aeroplanmbajtësja do të presë zyrtarë vendas dhe udhëheqës kryesorë për të riafirmuar aleancën e fortë dhe të qëndrueshme midis dy vendeve.

Aeroplanmbajtësja, me mbi 5,000 marinarë në bord, mban më shumë se 75 avionë ushtarakë, përfshirë avionë luftarakë si F-18 Super Hornet dhe është e pajisur me një sistem të avancuar radar për kontrollin e trafikut ajror dhe navigimin./tvklan

ME TE LEXUARAT