Akuzohet se abuzoi me mbesën/ Gjykata e Beratit lë në burg xhaxhanë. 39-vjeçari: Sajesë nga kunata!

Gjykata e Berat ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 39-vjeçarin Sabri Likaj, i dyshuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me mbesën e tij të mitur, 15 vjeçe.
Gjatë seancës, i pandehuri nuk e ka pranuar akuzën, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë kontakt të papërshtatshëm me të miturën dhe se denoncimi, sipas tij, është i sajuar për shkak të një konflikti familjar për çështje prone.
Pasi dëgjoi pretendimet e organit të akuzës dhe mbrojtjen e të pandehurit, gjyqtari Ervis Koxhaj vendosi të cilësojë të ligjshëm arrestimin dhe të caktojë masën e sigurisë “arrest në burg”.
39-vjeçari u arrestua tre ditë më parë pas kallëzimit të bërë në Policinë e Beratit nga e mitura dhe nëna e saj. Ai akuzohet për veprën penale “Përfshirja në marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, e parashikuar nga neni 200/2 i Kodit Penal.


