Bllokimi i rrugës Librazhd-Prrenjas 6-fishon pritjen e kamionëve në doganën e Kakavijës

Si pasojë e bllokimit të rrugës Librazhd-Prrenjas, bllokimi i lëvizjes së kamionëve të transportit nëpërmjet doganës së Kapshticës ka sjellë dyndje të trajlerave në Kakavijë. Sipas informacioneve nga dogana e Kakavijës është 6-fishuar numri i kamionëve të transportit që hyjnë nga Greqia në drejtim të vendit tonë.
Përpara bllokimit të rrugës Librazhd-Prrenjas nëpërmjet doganës së Kakavijës hynin në Shqipëri mesatarisht rreth 30 kamionë në ditë. Tashmë me kufizimin e lëvizjeve në Kapshticë numërohen rreth 180 trajlera në ditë të cilët hyjnë në vendin tonë nëpërmjet Kakavijës.
Gjatë fundjavës, kamionëve ju është dashur të presin për orë të tëra për të kryer proceduat e zhdoganimit në Kakavijë. Kosto të shtuara për mjetet e transportit janë edhe orët e gjata të udhëtimit ndërsa krahasimisht me Kapshticën kamionistëve ju duhet të përshkojnë rreth 200 km rrugë më tepër.
Për të evituar orët e pritjes të kamionëve dhe trajlerave në kufi dogana e Kakavijës ka shtuar personelin.


