Emigranti: Shqiptarët s’e duan më këtë pushtet dhe opozitë! Kalaja e tyre e gënjeshtrave do të bjerë gur gur

Një emigrant nga Gjermania theksoi nga sheshi përpara Kryeministrisë se diaspora ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të qytetarëve në Tiranë, me protestat që po zhvillohen nëpër qytete të ndryshme të botës.
Teksa mori fjalën para protestuesve, ai deklaroi se qytetarët do ta shporrin diktaturën e Edi Ramës, që sipas tij, ka zënë rrënjë si bar i keq.
“Diktatura që ka zënë rrënjë si një bar i keq në Shqipëri. Diaspora nuk është vetëm këto tre ditë, një herë në muaj por çdo ditë me ju. Në diasporë zhvillohen protesta çdo javë pa pushim. Deri më tani 300 protesta të numëruara dhe vazhdojnë të rriten. Njerëzit në diasporë iu mbështesin çdo javë.
Në protestat tona nuk perëndon dielli. Shqiptarët protestojnë nga Amerika, Evropë dhe deri në Australi. Prandaj ju mos kujtoni se jeni vetëm, por jemi 7 milionë shqiptarë anembanë botës që kërkojmë dorëheqjen e pushtetit dhe opozitës aktuale sepse nuk po e bëni punën siç duhet. Shqipëria nuk ka më nevojë për ju dhe shqiptarët nuk iu duan.”, u shpreh ai.
Ai shtoi se protesta e tyre ka marrë mbështetjen e PE-së, si dhe i ka treguar fytyrën e vërtetë kryeministrit Edi Rama. Ai shtoi se të gjithë pushtetarët do të bien gur më gur, dhe e gjithë kalaja e tyre do rrëzohet.
“Kjo protestë ka arritur që ne të kemi mbështetjen e PE, që të nxjerrë frymën e vërtetë të këtij palo kryeministri që bën si palaço nëpër media internacionale. Kjo protestë ka arritur që shumë funksionarë të kësaj pozite dhe opozite të japin dorëheqjen dhe të bashkohen me anën e drejtë të kësaj historie. Kështu do të bien gur më gur do të rrëzohet kalaja e gënjeshtrave që kanë ndërtuar këta qeveritarë të shitur.”, tha ai.


