GJKKO vendos sot për Metën dhe Kryemadhin, ish-deputetja mbërrin në gjykatë

Ish deputetja Monika Kryemadhi ka mbërritur në ambientet e GJKKO, aty ku sot do të vendoset nëse dosja ndaj saj dhe Ilir Metës do të kalojë apo jo për gjykim.
Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.
Mbrojtja ka kërkuar pushimin e çështjes ose në alternativë rikthimin e saj për hetim të mëtejshëm.
SPAK mbylli hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi më 28 korrik të vitit të kaluar dhe në fund të gushtit e dërgoi çështjen në gjykatë. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Nga pesë të pandehurit, i vetmi që ndodhet në burg është Ilir Meta, i arrestuar në tetor të vitit 2024. Të gjitha kërkesat e tij për ndryshim të masës së sigurisë janë rrëzuar, përfshirë edhe një kërkesë të shqyrtuar së fundmi nga Gjykata e Lartë.


