HETIMET/ Rekrutimi i Muçi Shaljanit në AMP u bë për t’i shërbyer grupeve kriminale

Hetimet e Prokurorisë kanë zbardhur detaje të reja lidhur me rekrutimin e Muçi Shaljanit, një ish-punonjës të AMP-së, për të cilin ka dyshime se ky rekrutimi nuk ka qenë rastësor, por ka shërbyer për qëllime të tjera, të lidhura me interesa të grupeve kriminale. Burime jozyrtare kanë bërë me dije se Shaljani është rekrutuar me funksionin e vëzhguesit për të ndihmuar në lehtësimin e aktiviteteve të grupeve të krimit të organizuar.
Në hetimin lidhur me atentatin që ndodhi në Rinas dhe që i mori jetën punonjësit të AMP-së, Gilmando Danit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pezullimin e drejtorit të AMP-së, që ka qenë përgjegjës për punësimin e Shaljanit, pasi ky proces është realizuar në shkelje të ligjit. Hetimet kanë treguar se drejtori i AMP-së, Sala, vazhdoi të mbante detyrën dhe të manipulojë me dokumentet dhe shkresat që kishin të bënin me hetimet e AMP-së, duke penguar hetuesit në avancimin e hetimeve për disa punonjës të policisë që mund të kenë qenë të përfshirë.
Dyshimet për lidhjet e Shaljanit me grupe kriminale kanë bindur prokurorin Bledar Valikaj të kërkojë pezullimin e tij nga detyra deri në përfundim të hetimeve. SPAK, i cili ka marrë drejtimin e hetimit për atentatin mafioz në Rinas, është duke hetuar më tej ngjarjen dhe rolin e Shaljanit në këtë aktivitet kriminal.
Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për hetimin e çështjes dhe e ka kaluar në SPAK, që është organi përgjegjës për hetimet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Hetimet vijojnë për të sqaruar lidhjet e mundshme të të përfshirëve dhe rolin që ka pasur Shaljani në këto aktivitete kriminale.


