I vodhi paratë çiftit gjerman duke i kërcënuar me armë, arrestohet 16-vjeçari në Shkodër! Në kërkim bashkëpunëtori

Një grabitje me armë ndaj një çifti gjerman, e ndodhur rreth tre javë më parë në Shkodër, është zbardhur sot nga Policia. Raportohet se në pranga ka rënë një 16-vjeçar, teksa është shpallur në kërkim një nga bashkëpunëtorët e dyshuar. Po ashtu, janë proceduar penalisht dy të rinj, 27 dhe 20 vjeç,
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur natën e 9 qershorit, në aksin rrugor Domen–Postribë. Çifti gjerman po qëndronte në automjetin e tyre kur u përball me katër persona. Dyshohet se autorët i kanë kanosur me armë zjarri dhe u kanë marrë 500 euro.
Njofitmi i policisë:
Zbardhen rrethanat e vjedhjes së një shume parash, 2 shtetasve të huaj (bashkëshortë), me anë të kanosjes me armë zjarri, rreth 3 javë më parë, në fshatin Domen.
Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.Në vijim të punës së pandërprerë hetimore për zbardhjen e vjedhjeve, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër finalizuan operacionin e koduar “Rest time”. Në kaudër të këtij operacioni, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Renda arrestuan një 16-vjeçar, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas, të moshave 27 dhe 20 vjeç, si dhe shapllën në kërkim 1 shtetas. Nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 09.06.2026, gjatë natës, në aksin rrugor “Domen-Postribë”, 16-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë, iu ka marrë 500 euro, 2 shtetasve gjermanë (bashkëshortë), të cilët po qëndronin në automjetin e tyre.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”


