Kreu i SPAK prezanton raportin 2025: Bashkëpunimi ndërkombëtar, kyç në luftën kundër korrupsionit

Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho ka paraqitur sot në Komisionin e Ligjeve, raportin vjetor të Strukturës së Posaçme për vitin 2025.
Në nisje të fjalës së tij, Braho thekson se raportimi nxjerr në pah rezultatet kryesore, sfidat që ka hasur SPAK si dhe drejtimet ku kërkohet më shumë konsolidim.
Fokus i raportimit Braho tha se mbetet krimi i organizuar i cili sipas tij, ka marrë gjithnjë e më shumë dimension transnacional, ndërsa hetimet për korrupsionin dhe pastrimin e produkteve të veprës penale do të vijojnë me intensitet
“Hetimet për korrupsionin dhe pastrimin e produkteve të veprës penale kërkojnë kapacitete të specializuara, koordinim ndërinstitucional dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, Prokuroria e Posaçme ka vijuar të ushtrojë ndjekjen penale dhe të përfaqësojë akuzën në gjykatë me fokus jo vetëm tek ndjekja e përgjegjësisë individuale penale por edhe tek goditja e përfitimit ekonomik nga veprimtaria kriminale. Për ne, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk matet vetëm me numrin e procedimeve apo të personave të dënuar, por edhe me aftësinë për të identifikuar, sekuestruar dhe konfiskuar pasuritë e krijuara në mënyrë të paligjshme”, tha ai.