Zbardhet plagosja e 22-vjeçarit në Kurbin, i mori makinën pasi e qëlloi në këmbë, në kërkim 47-vjeçari (EMRI)

47-vjeçari Klodjan Ndoj është shpallur në kërkim nga Policia e Kurbinit, pasi dyshohet se plagosi me armë zjarri një 22-vjeçar mbrëmjen e së shtunës.
I riu, i quajtur Veron Pasha, mbeti i lënduar në këmbë, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital.
Autori i krimit u largua nga vendi i ngjarjes, duke marrë, nën kërcënimin e armës, edhe automjetin e 22-vjeçarit.
Klodjan Ndoj akuzohet për veprat penale të “plagosjes së rëndë me dashje”, “vjedhjes me armë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit”.
Ndërkohë, nuk dihet ende motivi i ngjarjes së rëndë.
Kurbin
Zbardhet ngjarja ku u plagos me armë zjarri në këmbë një 22-vjeçar.
Shpallet në kërkim një 47-vjeçar, i dyshuar si autori i ngjarjes, i cili pas plagosjes u largua nga vendi i ngjarjes, duke marrë nën kërcënimin e armës edhe automjetin e 22-vjeçarit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur më datë 25.07.2026, bazuar në provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin K. N., 47 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin.
Ai dyshohet si autor i plagosjes me armë zjarri të shtetasit V. P., 22 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet hetimore rezultoi se autori, pas plagosjes, është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i marrë 22-vjeçarit, nën kërcënimin e armës, automjetin.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy gëzhoja.
Punohet intensivisht për kapjen e autorit dhe gjetjen e automjetit të 22-vjeçarit.
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.


