Aksident i rëndë në Lushnje, shoferi i “BMW” përplas një kalë, përfundon në spital gruaja e tij

Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të dielës në aksin rrugor Tri Urat – Lushnjë, ku një automjet tip BMW është përplasur me një kalë që i ka dalë papritur përpara.
Sipas të dhënave, kafsha ka kërcyer në rrugë në mënyrë të befasishme, duke e bërë përplasjen të pashmangshme.
Si pasojë e aksidentit, është lënduar bashkëshortja e drejtuesit të mjetit e cila është transportuar me ambulancë drejt spitalit të Lushnjes për ndihmë mjekësore. Kali nga ana tjetër ka ngordhur në vend.
Automjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Burime nga policia rrugore e Lushnjes bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit nuk ka pasur mundësi të manovrojë, pasi kafsha i ka dalë papritur në rrugë
Ky aks rrugor kombëtar, i cili lidh Lushnjen me zonën e Grabianit dhe Çermës përmes autostradës, konsiderohet veçanërisht i rrezikshëm gjatë natës.
Edhe pse në pjesën më të madhe të tij ka barriera metalike mbrojtëse, bagëtitë dhe kafshët arrijnë t’i kalojnë lehtësisht, duke u kthyer shpesh në burim aksidentesh/Shqiptarja


