Ndërtimi 5-katësh pa leje, "shkrihet" policia e Himarës

Aktualitet

Ndërtimi 5-katësh pa leje, "shkrihet" policia e Himarës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra të gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo.

Vendimi i Hitës vjen pas konstatimit të një ndërtese 5-katëshe pa leje në Qeparo. Janë pezulluar nga detyra Nënkomisar Ferit Merkaj, Komisar Emiljano Prenga, Nënkomisar Klodjan Petani dhe Inspektor Redin Çaushaj

Dyshohet se oficerët kanë qenë në dijeni të ndërtimit dhe kanë shpërdoruar detyrën.

Po ashtu edhe kreu i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo ka shkrirë tërësisht strukturën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Himarë, pas konstatimit të ndërtimeve pa leje në territorin e bashkisë.

Njoftimi:

Policia e Shtetit/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pezullon nga detyra gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo, Himarë

Në vijim të masave të marra për evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, konkretisht:

– Nënkomisar F. M., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;

– Komisar E. P., ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;

– Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;

– Inspektor R. Ç., me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.

Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.

Ky shtetas u arrestua ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Himarë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 punonjës të IMT-së Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe 2 inspektorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.

Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë dhe largojë nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrën, abuzon me të dhe cenon besimin e qytetarëve.

Njoftimi i meparshem:

Po ndërtonte pa leje, një objekt 5-katësh (njëri kat, nën tokë), arrestohet 39-vjeçari.

Shpallen në kërkim 3 punonjës (kryeinspektori dhe 2 inspektorë) të IMT, Himarë, për shpërdorim të detyrave.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, krahas angazhimit maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë konstatuan se një objekt 5-katësh (njëri kat, nën tokë) në vendin e quajtur “Sugë”, aktualisht në proces ndërtimi, ishte pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, arrestuan në flagrancë pronarin e objektit, L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, shpallën në kërkim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit D. H., 46 vjeç, banues në Tiranë, M. K., 31 vjeç, banues në Gjirokastër dhe A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyra përkatëse kryeinspektor dhe inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Himarë.

Punohet për kapjen e tyre dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësive penale.

Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT