Pagat e magjistratëve/ Shoqata Europiane e Gjyqtarëve: Po anashkalohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese (FOTO)

Aktualitet

Pagat e magjistratëve/ Shoqata Europiane e Gjyqtarëve: Po anashkalohet

Shoqata Europiane e Gjyqtarëve ngre alarmin për zhvillimet në Shqipëri lidhur me pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit gjyqësor.

Në një deklaratë, Bordi i Shoqatës Europiane të Gjyqtarëve shpreh “shqetësim të thellë” për situatën dhe i referohet vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas shoqatës, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetues sistemin ekzistues të pagave dhe ka urdhëruar Kuvendin që të ndryshojë dispozitat përkatëse në përputhje me udhëzimet e saj, brenda një afati të përcaktuar.

Shoqata pretendon se këto udhëzime nuk janë respektuar dhe se është refuzuar pagesa e shumës së përcaktuar nga gjykata.

Kritika ngrihen edhe ndaj një projektligji të paraqitur në Kuvend, i cili parashikon rillogaritjen retroaktive të pagave.

Sipas Shoqatës Europiane të Gjyqtarëve, nëse projektligji miratohet, ai jo vetëm do të shfuqizonte rregullimin që rrjedh drejtpërdrejt nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por do të vendoste në mënyrë retroaktive një metodë të re përllogaritjeje, e cila, sipas saj, paraqet probleme të ngjashme me sistemin që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetues.

“Legjislativi po përpiqet të anashkalojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Shoqata nënvizon se zbatimi efektiv i vendimeve gjyqësore është një element themelor i shtetit të së drejtës dhe i pavarësisë së gjyqësorit.

Sipas saj, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha autoritetet publike dhe individët, ndërsa moszbatimi i tyre përbën shkelje të vetë Kushtetutës.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se zhvillimet e fundit “cenojnë shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe balancën e pushteteve”, si dhe rrezikojnë besimin te shteti dhe reformat e ndërmarra deri tani në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Në përfundim, Bordi i Shoqatës Europiane të Gjyqtarëve shprehet se shpreson që kjo situatë të parandalohet dhe bën të ditur se do të mbështesë Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë në përpjekjet e tij për këtë çështje.

Shoqata njofton gjithashtu se do ta vendosë çështjen në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme, që do të zhvillohet në tetor në Lisbonë, si dhe do të informojë aktorët përkatës ndërkombëtarë dhe europianë për situatën në Shqipëri.

ME TE LEXUARAT