"Plas" DEBATI në gjyq! Vrasja e Gjin Boriçit dhe tentativa për eliminimin e Kleanthi Musabelliut, SPAK kërkon 40 dëshmitarë

Tensionet dhe debatet e ashpra kanë shoqëruar seancën e fundit për dosjen “Metamorfoza”, ku Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar thirrjen e 40 dëshmitarëve në gjyq, lidhur me akuzat për veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal. Prokurorët kërkojnë marrjen në pyetje të dëshmitarëve për vrasjen e Gjin Boriçit në gusht 2020 dhe për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes ndaj Kleanthi Musabellit, akuza që janë lidhur me grupin e strukturuar kriminal.
Një nga debatet më të ashpra gjatë seancës ka pasur të bëjë me komunikimet e aplikacionit SKY ECC dhe mospërputhjen e orareve të bisedave me kohën e vrasjes së Gjin Boriçit. Arben Kraja, ka deklaruar se orari i serverave të SKY ECC nuk përputhet me orën lokale dhe ka hedhur poshtë pretendimet për manipulimin e kohës së komunikimeve. Nga ana tjetër, avokati Gurali Brahimllari, që përfaqëson biznesmenin Pëllumb Gjoka, ka akuzuar prokurorinë për manipulim të procesverbalit, duke theksuar se procesverbali i Gjokës është spostuar dhe provat janë deformuar.
Seanca është shtyrë pasi avokatët kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me përmbajtjen e plotë të provave dhe materialeve të paraqitura nga prokuroria. Në këtë proces, përveç biznesmenit Pëllumb Gjoka, po gjykohen edhe Behar Bajrovic dhe Edmond Preka. Ndryshe nga pjesa e krimeve më të lehta të dosjes “Metamorfoza”, që u trajtua me gjykim të shkurtuar, ky proces po zhvillohet me gjykim të zakonshëm.
Seanca e radhës pritet të sjellë përplasje të tjera mes palëve, duke e bërë këtë proces një nga më të bujshmit të vitëve të fundit në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar në vend.


