Poezia për Enver Hoxhën, kryebashkiakja e Lushnjës sqaron videon: Pamjet u përdorën jashtë kontekstit

Aktualitet

Poezia për Enver Hoxhën, kryebashkiakja e Lushnjës sqaron videon:
Kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa ka reaguar në lidhje me video ne publikuar nga deputeti demokrat, Saimir Korreshi, ku shihej se ajo ishte pjesëmarrëse në një aktivitet ku glorifikohej figura e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Sefa shprehet se aktiviteti ishte organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, në Bibliotekën e Lushnjës, për promovimin e librit të z. Neki Ngucaj dhe jo nga Bashkia Lushnjë apo nga Biblioteka e Lushnjës.

Më tej, ajo shprehet se poezia u recitua nga vetë vajza e autorit, për të treguar vështirësitë që ajo ka kaluar në atë kohë dhe se si ishte detyruar nga pushteti i kohës të recitonte në nder të Enver Hoxhës.

Reagimi i plotë: 

Me keqardhje, por e detyruar për shkak të deformimeve dhe shpifjeve të vazhdueshme nga përfaqësues të opozitës, e shoh me vend që të sqaroj opinionin publik mbi pamjet e shkëputura nga një aktivitet i zhvilluar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, në Bibliotekën e Lushnjës, për promovimin e librit të z. Neki Ngucaj.

Deputeti i Lushnjës në Parlamentin e Shqipërisë, Z. Saimir Korreshi publikoi një fragment nga ky aktivitet në fjalën e mbajtur nga vajza e z.Neki Ngucaj, ku ishte nxjerrë nga konteksti një recitim i saj që i referohej një kujtimi të hidhur të kësaj familje të persekutuar në periudhën komuniste.

Video e plotë bashkëngjitur këtij reagimi, tregon sesa dashakeq duhet të jesh që të shkëpusesh një fragment nga një aktivitet i rëndësishëm, për të marrë medemek kredite në opinionin publik. Në fakt duke pasur këtë ego të frikshme për vëmendje publike, mund të bëhesh edhe qesharak, sikurse në rastin aktual.

Vonesa në reagim nga ana ime ishte e qëllimtë në fakt, duke respektuar së pari reagimin e familjes Ngucaj, e cila ishte organizatore e këtij aktiviteti letrar, por edhe sepse prisja që “deputeti digjital i doktorit” të kuptonte që kishte rënë në “grackën”  e dëshirës së shfrenuar për protagonizëm, gjë që të paktën deri tani nuk ka ndodhur.

Për opinionin publik, jo për Z.Deputet, po sqaroj disa aspekte organizative, më shumë sesa brendinë e aktivitetit.

E para,  nuk kemi të bëjmë me një aktivitet të organizuar nga Bashkia Lushnjë apo nga Biblioteka e Lushnjës.

E dyta, unë mora pjesë në aktivitet me ftesë të familjarëve të autorit  aq më tepër duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një familje me një histori persekutimi.

E treta, dhe më e rëndësishmja; aktiviteti nuk pati absolutisht asgjë anormale. Poezia e recituar, sikurse tha vetë vajza e autorit Z.Neki Ngucej, rikthehej në vëmendje për të dëshmuar sa e rëndë ishte në atë periudhë të recitojë vargje për diktatorin, në një kohë që diktatura kishte persekutuar dhe kishte vrarë anëtarë të familjes.

Thënë këto Z.Korreshi, hequr mënjanë egon tuaj të sëmurë politike për të bërë lajm, edhe kur s’ka lajm, duhet të kishit kërkuar ndjesë publike për gafën “me apo pa dashje” tuajën. Në respekt të asaj që përfaqësoni, por më së shumti në respekt edhe të familjes Ngucaj.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme: përpara së të nxini cdo gjë që lidhet me Lushnjën dhe lushnjarët, përpiquni që të jeni edhe më I pranishëm në aktivitete kulturore dhe artistike që zhvillohen në Lushnjë, dhe pastaj jeni I lirë të vazhdoni agjenden tuaj me propagandë politike, kurdo dhe kudo.

Shpif, shpif se dicka do të mbetet, nuk është zgjidhja!

ME TE LEXUARAT