“Protestat gjenerojnë ndryshim”/ 66 ditë protesta, Dua Lipa dhe Lea Ypi një tjetër mesazh për shqiptarët

Një bisedë mes yllit botëror të muzikës Dua Lipa dhe autores së njohur Lea Ypi ka sjellë në vëmendje debatet mbi demokracinë, protestat qytetare dhe rolin e shoqërisë në përballjen me apatinë politike.
Në episodin e radhës të podcast-it “Service95 Book Club”, dyshja diskutoi mbi lëvizjet qytetare në Shqipëri dhe mesazhet që ato përcjellin për përfshirjen e qytetarëve në çështjet publike.
Gjatë bisedës, Dua Lipa iu referua edhe një prej sloganeve të protestave në Shqipëri, “Shqipëria nuk shitet”, ndërsa reagoi ndaj pyetjes së një komentuesi se si mund të shmanget lodhja nga protestat.
Autorja Lea Ypi theksoi rëndësinë e të kuptuarit të demokracisë përtej procesit zgjedhor, duke argumentuar se pjesëmarrja qytetare dhe protestat janë pjesë e funksionimit të saj.
“Është e rëndësishme ta shohim demokracinë si diçka që jeton edhe përmes këtyre rasteve të protestës, dhe jo ta reduktojmë demokracinë thjesht në pjesëmarrje në zgjedhje”, u shpreh Ypi gjatë podcast-it.
Diskutimi i dy figurave shqiptare me famë ndërkombëtare ka nxitur reagime mbi rolin e qytetarëve, elitave politike dhe nevojën për një angazhim më aktiv në shoqëri.

Biseda në podcast
Dua Lipa: Do të doja t’ua kaloja fjalën në këtë moment lexuesve të Service95, sepse kam disa pyetje nga ata për të ndarë. Kjo pyetje lidhet me protestat “Shqipëria nuk shitet”, dhe thotë: “Si mund të shmangim lodhjen nga protestat?” – Cassidy
Lea Ypi: Mendoj se është e rëndësishme ta shohim demokracinë si diçka që jeton edhe përmes këtyre rasteve të protestës, dhe jo ta reduktojmë demokracinë thjesht në pjesëmarrje në zgjedhje, jo ta reduktojmë te elitat ekzistuese, dhe të mos mendojmë se e kemi kryer detyrën thjesht në atë ditë kur kemi shkuar dhe kemi zgjedhur një përfaqësues në vend të një tjetri. Dhe të kuptojmë se në këto raste, protestat mund të jenë gjithashtu krijuese. Ato mund të gjenerojnë ide, mund të gjenerojnë projekte, dhe…
Dua Lipa: Po.
Lea Ypi: Për mua, është shumë përcaktuese t’i përmbahemi kësaj dhe të mos i dorëzohemi apatisë e cinizmit. Dhe këtu, në fillim, njerëzit po këndonin, po kërcenin dhe po u shpërndanin lule policisë, kështu që ishte thjesht një mënyrë vërtet ndryshe për të bërë një protestë…
Dua Lipa: Po, për të protestuar.
Lea Ypi: …të cilën e ndjeva se ishte vërtet frymëzuese dhe mund të shërbente si shembull se si vendet e tjera duhet t’u përgjigjen elitave të tyre dhe t’i përgjigjen kësaj kapjeje oligarkike të politikës.


