“Rama është në mandatin e katërt, politikan i konsumuar”/ Aktivistja, Vatnikaj: Kërkohet dorëheqja dhe hetim…

Protestat qytetare që po vijojnë prej më shumë se një muaji në Shqipëri kanë qenë në qendër të debatit publik, ndërsa në një intervistë televizive, aktivistja Sidorela Vatnikaj ka folur për motivet dhe kërkesat e lëvizjes.
Vatnikaj u shpreh se pjesëmarrja në protesta është rritur ndjeshëm, duke e përshkruar atë si një “frymëzim dhe solidaritet mes qytetarëve”. Sipas saj, kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilëson si përfaqësues të një sistemi që nuk i përfaqëson më qytetarët.
Ajo deklaroi se Rama është “një politikan i konsumuar”, duke përmendur si arsye jetëgjatësinë e tij në politikë dhe mënyrën e qeverisjes, përfshirë akuzat për përqendrim pushteti, ndikim mbi pronat publike dhe marrëdhënie me grupe të fuqishme ekonomike. Sipas saj, largimi i tij do të hapte rrugën për një riformatim të qeverisjes në vend.
Duke komentuar thirrjen “Rama në burg, Berisha në burg”, Vatnikaj tha se ajo nuk nënkupton drejtësi popullore, por kërkesë për hetim nga institucionet e drejtësisë ndaj dy figurave kryesore të politikës shqiptare ndër vite.
Sipas saj, kjo shprehje përfaqëson gjithashtu kërkesën për fundin e epokës së dominimit të liderëve të vjetër politikë dhe mënyrës së tyre të ushtrimit të pushtetit.
Aktivistja theksoi se protesta nuk synon thjesht ndryshim simbolik, por një transformim të thellë të sistemit politik dhe institucional në vend. Sipas saj, vetëm përmes largimit të figurave të konsumuara politikisht dhe forcimit të drejtësisë, shoqëria shqiptare mund të rifitojë besimin dhe përfaqësimin real në qeverisje.
Sidorela Vatnikaj:
Në fakt, motivimin ne e kemi folur disa herë bashkë pasi ne jemi organizuar edhe kur në shesh kishte disa dhjetëra vetë. Sot që shohim qindra mijëra shqiptarë të cilët për më shumë se një muaj dalin në shesh, protestojnë, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, thonë njëzëri që kjo klasë e vjetër politike nuk na përfaqëson, ky sistem i ngritur mbi autokraci, mbi oligarki nuk na përfaqëson, duket sikur e gjithë shoqëria shqiptare ka pritur që të vijë, ka ardhur tashmë. Është pikërisht ky frymëzim, solidariteti, dashuria që shikon mes njerëzve, mes protestuesve, fakti që ndihet një shpresë që po ndizet aty në shesh, e cila të bën që të mos mungosh asnjë ditë në protestë.
Edhe në këto ditë që duhet thënë ka qenë të vështira, kanë qenë të nxehta, kanë qenë me shumë presione, me shumë vështirësi, qoftë dhe nga konfrontimi me policinë. Por nga ana tjetër, emocionet që ti merr në shesh kur shikon se nuk je vetëm në luftën përballë autokracisë, nuk je vetëm në luftën përballë oligarkisë, përballë korrupsionit, të bën që të shkosh çdo ditë edhe të thuash që qëndrimin që ne kemi pasur prej vitesh tashmë, më në fund po e ndajmë edhe me të gjithë shoqërinë shqiptare.
Në fakt, dorëheqja e kryeministrit Rama është kërkuar që në ditët e para kur filloi kjo revoltë, ky mllef qytetar. Personalisht mes ditëve kam filluar të pyes edhe veten pse në këtë moment u artikulua njëzëri dorëheqja dhe ajo që më vjen si përgjigje është fakti se kryeministri Rama, pushteti që ai përfaqëson nuk përfaqëson më shqiptarët. Në këtë kuptim mendoj që kryeministri Rama ka vetëm një mundësi, që është mundësia e dorëheqjes dhe më pas shoqëria shqiptare ka vetë hapësirën, ka mundësinë ta ndërtojë qeverisjen si do vetë.
Rama është në mandatin e tij të katërt, është një kryeministër i cili ka qenë në politikë që përpara se unë të lindja, ka qenë ministër kulture, më pas kryebashkiak i Tiranës për 11 vjet, tanimë edhe kryeministër prej 4 mandatesh, pra jemi duke folur për një politikan të konsumuar politikisht, por jo vetëm kaq, nuk është vetëm jetëgjatësia e tij në politikë që e bën atë të papranueshëm si kryeministër, të papranueshëm si kryeministër e bëjnë kryesisht marrëveshjet që ai ka bërë me oligarkët, marrëveshjet që ka bërë me krimin e organizuar, mënyra se si i ka tjetërsuar pronat publike, mënyra se si e ka privatizuar bregdetin, malet, me paketën e maleve së fundmi, mënyrën se si ka tentuar të kontrollojë mediat më të mëdha në Shqipëri, mënyra se si e ka përqendruar të gjithë pushtetin në dorën e vet.
Fakti që sot kemi një person kaq të fuqishëm, që jo vetëm është politikan jetëgjatë, por edhe që e ka grumbulluar të gjithë pushtetin, për ne është e vetmja mënyrë se si shoqëria të fillojë të rimarrë frymë, është duke u larguar së pari ky njeri. Që sigurisht nuk përfaqëson vetëm veten, por përfaqëson një mendësi ku i gjithë pushteti përqendrohet në duart e autokratit. Prandaj dorëheqja e kryeministrit Rama është tanimë një kërkesë e padiskutueshme, jo kërkesa më e madhe duhet thënë, po nga e cila rrjedhin më pas të gjitha kërkesat e tjera.
“Rama në burg, Berisha në burg” ka qenë refreni që ka filluar të këndohet e më pas u shpërnda në të gjithë protestën që nga ditët e para. Unë e shoh në dy këndvështrime. Së pari e shoh si një hetim ndaj dy politikanëve më të fuqishëm që ne kemi pasur për 36 vite.
Dhe kur themi “Rama në burg, Berisha në burg”, nuk do të thotë që ne jemi populli që vendosim që këta duhet të përfundojnë në burg, por është një kërkesë për institucionet e drejtësisë që këta dy persona, të cilët kanë përfaqësuar kokat më të mëdhaja të pushtetit për 36 vjet, duhet të hetohen. Kjo është e para.
Nga ana tjetër si e shoh unë, e shoh dhe si kërkesë politike që epoka e dy liderëve, si zotit Berisha, si zotit Rama në krye të politikës shqiptare, në krye të dy partive më të mëdhaja shqiptare dhe mendësia që ata kanë sjellë në politikë, qofshin kur kanë qenë në pozitë, qofshin kur kanë qenë në opozitë, ka qenë përqendrimi i pushtetit vetëm në duart e tyre si kryetarë partish, dua të marrë fund. Kështu që, e kam parë që është diskutuar disa herë në qoftë se ne po kërkojmë një drejtësi popullore, ku ne qytetarët nga sheshi i fusim në burg, nuk është ashtu. Është një kërkesë për sistemin e drejtësisë për t’i hetuar të dy sigurisht, absolutisht, veçanërisht kryeministrin Rama.


