“Rama ka frikë, po mban peng Shqipërinë”, aktivisti Tepelena për protestën: Bën çmos ta shuajë, por nuk do të ndalemi

Aktualitet

“Rama ka frikë, po mban peng Shqipërinë”, aktivisti

Aktivisti Andi Tepelena tha sot për News24 se protesta që hyn sot në ditën e 66-të të saj është e popullit dhe jo e partive politike, kurse kryeministrit Edi Rama i ka hyrë frika në palcë.

Në shesh sipas tij mblidhen qytetarët e lirë, ka revoltë të dukshme popullore për të gjitha skandalet dhe gjendjen e vendit, përfshi lëvizja e fundit territoriale e PS me shkrirjen e bashkive. Dhe këto grupime të ndryshme kanë një qëllim të përbashkët, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike apo sistemit.

“Protesta ka një imazh të bukur, emigrantët i janë bashkuar, është një frymëzim edhe për të rinjtë, kemi një rini të bukur në shesh. Kemi hyrë në fazën e një proteste permanente, të vazhdueshme, ka ngjitur shpresa për sloganet, thirrjet, për Shqipëri të Re, për meritokraci, për punë të ndershme, sipërmarrja, pra një Shqipëri të së nesërmes, që nuk është peng i dy liderëve të vjetër. Që të krijojë frymëmarrje më të madhe, për të rinjtë, për një Shqipëri tjetër”, tha Tepelena në studion e televizionit gjatë intervistës së tij.

Ai foli edhe për strategjinë gjatë muajit gusht dhe shtator si dhe diasporën. Tepelena shpjegoi se kjo lëvizje nuk do shuhej, pavarësisht përpjekjeve të pushtetit.

“Protesta do vazhdojë, prenotimet po bëhen në bazë të protestës së diasporës, kemi atë të 14-15-16 gushtit tani ku do ketë ritëm të njëjtë çdo dy javë në muajin gusht dhe më pas në muajin shtator. Diaspora po organizohet vetë, si një trup i vetëm. Karakteri i protestës është kombëtar dhe përtej partive politike. Sheshi do jetë plotë, mund të jenë 50 mijë dhe më shumë, nuk mund të them detaje, por edhe në shtator sheshi do jetë plot. Kryeministri duhet të dorëhiqet”, tha ai.

Por që të arrihet qëllimi i përbashkët, energjia do fokusohet vetëm te largimi i kryeministrit.

Ai denoncoi se Rama çdo ditë tenton të anatemojë dhe intimidojë protestuesit, me qëllim që ta shuajë protestën, por nuk do ia dalë dot.

“E gjithë energjia duhet të fokusohet te protesta, me qëllim largimin e një njeriu që po mban peng Shqipërinë. Ndihet frika e tij, i ka hyrë frika në palcë, daljet nervoze, anatemimet e tij ndaj protestës, besoj i ka dalë nga duart, bëri çmos e të intimidonte individë të caktuar për ta shuar protestën. Por protesta është e decentralizuar dhe në harmoni të plotë, me emërues të përbashkët, rrëzimin e Ramës nga pushteti”, tha ai.

Tepelena theksoi se çdo ditë në protestë dhe media denoncohen skandale të reja të qeverisë, sikurse ato me tenderët. Sipas tij, qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës.

“Protesta po denoncon edhe skandalet korruptive, si i Agjencisë së Prokurimeve Publike, që është kanceri i korrupsionit. Mediat nxjerrin lajme çdo ditë, sikurse sot ai i pezullimit të punimeve dhe licencës për punimet në aeroportin e Vlorës. Popullit shqiptar i ka ardhur në maj të hundës si me Ramën, ashtu edhe me Berishën, duhet të ikin dhe të rinovohet klasa politike”, vijoi aktivisti.

Në lidhje me zhvillimet e fundit dhe Reformën Territoriale, ai analizoi se edhe bashkitë e majta, bastionet e PS janë revoltuar, teksa apeloi që t’i bashkohen sheshit të protestës në Tiranë.

“Protesta është kthyer si një ritual ku qytetarët bashkohen të lirë. Tani janë bashkuar edhe qytetarët e bashkive që po shkrihen. Tani është momenti i reagimit, sepse do të kemi një Shqipëri vetëm me 4-5 qytete. Reagim i pritshëm dhe ka revoltë popullore, si nga bashkitë e djathta, por edhe bastionet e majtë. Të majtët e kanë kuptuar se janë tradhtuar, janë të pakënaqur. Ta themi troç, kryeministri ka bërë aleancë me krimin e organizuar, me të keqen, me të korruptuarit”, argumentoi Tepelena.

Aktivisti refuzoi që të negociohej me Ramën pas ftesës që ai ka bërë, duke apeluar që ai të dorëhiqet një orë e më parë dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja të barabarta dhe të lira.

“Nuk kemi çfarë të negociojmë me këtë kryeministër, zgjidhja e vetme është largimi i tij, zgjedhje të barabarta, rregulla të drejta elektorale, garë e barabartë, kod të ri elektoral. Zgjidhjen politike duhet ta japë vetë ai”, u shpreh Tepelena.

Në lidhje me akuzat e qeverisë ndaj protestuesve se po dëmtojnë turizmin, Tepelena tha se në shesh ka shumë turistë që i janë bashkuar lëvizjes popullore, kurse Shqipëria ka shumë probleme dhe nuk është ende gati për turizmin.

“Në protestë po denoncohen skandalet e qeverisë. Shqipëria nuk është gati për turizmin dhe turistët. Protesta i ka bërë nder turizmit, në shesh ka plotë turistë që marrin pjesë. Tirana kutërbon, Lana gjithashtu të qelb era, impiantet e pastrimit nuk punojnë, janë jashtë funksioni, pra nuk jemi gati për turizmin sepse nuk ka infrastrukturën”, denoncoi ai.

ME TE LEXUARAT