Rënia e parë pas pandemisë, në janar erdhën më pak turistë! INSTAT: 1 në 2 të huaj që vizituan Shqipërin ishin nga Kosova

Viti 2026 nuk ka nisur i mbarë për turizmin në Shqipëri. Më pak të huaj erdhën në vend në muajin e parë të vitit, duke regjistruar rënie në raport me vjet.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në janar në vend hynë 552.187 shtetas të huaj, nga 560.393 mijë që erdhën vjet në të njëjtin muaj.
Kjo është rënia e parë që ndodh që prej pandemisë, pasi menjëherë pas hapjes së kufijve vendi përjetoi një bum turistik, dhe shenjat e ngadalësimit nisën të shfaqen që gjatë vitit të kaluar, për shkak të problemeve që shoqëruan sezonin, e sidomos çmimet e kripura të bizneseve përgjatë vijës bregdetare
Kosovarët vijojnë të mbeten mbështetja kryesore për turizmin sipas shifrave të INSTAT, pasi një në dy pushues që erdhi në vend në muajin janar ishte nga Kosova.
Rajoni duket se edhe këtë vit të jetë ‘furnizuesi’ kryesor i Shqipërisë me vizitorë, pasi nga Kosova, Maqedonia e Veriut Mali i Zi dhe Greqia, erdhën 70% e totalit të shtetasve të huaj në janar. Në shifra të larta ishin edhe ardhjet nga Italia me 69 mijë shtetas në total.

Nga ana tjetër më shumë shqiptarë dolën jashtë vendit në muajin e kaluar, duke reflektuar edhe kthimin e emigrantëve në shtetet ku jetojnë, pas festave të fundvitit. Rreth 740 mijë shqiptarë udhëtuan drejt shteteve të botës në janar, në rritje me 3.1% krahasuar me vjet, kur dolën nga vendi 717 mijë shqiptarë.
Nën sloganin ‘Albania All Senses’, vendi vjet priti 12.4 milionë të huaj, ndërsa të ardhurat deri në muajin shtator kur janë edhe të dhënat e fundit arritën në 4.4 miliardë euro, në rritje me 562 milionë euro në raport me vitin 2024.
Ndërkohë, institucionet kanë nisur përgatitjet për sezonin veror 2026, pasi Agjencia Kombëtare e Bregdetit njofton se janë hapur aplikimet për stacionet e plazhit përgjatë vijës bregdetare për të gjitha strukturat akomoduese të regjistruara dhe mbyllen më 15 mars./Shqiptarja