Seri vjedhjesh në kryeqytet/ Ishte në arrest shtëpie por grabiti 16 biznese, pranga 34-vjeçarit në Tiranë

Aktualitet

Seri vjedhjesh në kryeqytet/ Ishte në arrest shtëpie por grabiti
Nuk e ndaloi as masa e sigurisë "arrest në shtëpi" këtë 34 vjeçar në Tiranë të grabiste disa biznese njëri pas tjetrit. Ai është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se gjatë muajve gusht dhe shtator ka hyrë me thyerje në 16 lokale në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke marrë para dhe produkte. 

Pas kallëzimeve të bëra nga administratorët e bizneseve të goditura, policia ndaloi 34 vjeçarin me inicialet E.GJ, i cili në aktivitetin e tij kriminal vepronte në disa zona të kryeqytetit. 

Nga hetimet rezulton se ai dyshohet se ka vjedhur në tetë lokale në zonën e Komisariatit nr. 2, në katër lokale në territorin e Komisariatit nr. 3, si dhe në nga dy lokale në juridiksionin e komisariateve nr. 1 dhe nr. 4.

Gjatë verifikimeve, efektivët zbuluan se 34-vjeçari ishte me masë sigurie "arrest në shtëpi" për të njëjtën vepër penale, por kjo nuk e kishte ndaluar të vijonte aktivitetin e dyshuar kriminal.

Hetimet vazhdojnë për të dokumentuar nëse ai është i përfshirë edhe në vjedhje të tjera, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

"Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Broken Door”.

Arrestohet nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1, autori i vjedhjeve me thyerje, në 16 lokale në kryeqytet, gjatë muajve gusht dhe shtator.

I arrestuari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtin krim.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bazë të kallëzimeve nga administratorë lokalesh në zona të ndryshme të kryeqytetit, për vjedhje me thyerje në subjekte, të produkteve dhe shuma të parave, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 1, Nr. 2, Nr. 3 dhe Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Broken Door”, gjatë të cilit u ndalua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1, autori i dyshuar i 16 prej këtyre rasteve, shtetasi E. Gj., 34 vjeç.

Nga këto veprime dyshohet se i ndaluari, gjatë periudhës gusht-shtator 2026, ka vjedhur me thyerje, shuma parash dhe produkte, në 8 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 2, në 4 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 3, në 2 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 1 dhe në 2 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 4.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 34-vjeçari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht, veprimtarinë kriminale të shtetasit E. Gj., në fushën e vjedhjeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme."

Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

ME TE LEXUARAT