Vetëvrasja e Xhuana Nikollit, flet babai i 25-vjeçares, tregon bisedën e fundit me të bijën

“Ja kemi lënë në dorë dretësisë”. Këto ishin fjalët e para që tha babai i Xhuana Nikollit vetëm 24 orë pas varrimit, teksa shtoi se çështjen ja ka lënë në dorë drejtësisë.
“Veçse jemi gjallë dhe marrim frymë”, u shpreh i pikëlluar babai i vajzës së re.
Ai thotë se telefonata e fundit e Xhuanës ka qenë më nënën e saj në mëngjes para së të ndodhte ngjarja.
“Ishte goca në Tiranë, prej 3 muajsh.
Për herë të fundit ka folur me mamin e vet ka folur, në mëngjes, a jeni mirë dhe kaq.
Ajo nuk na ka thënë asgjë që kishte dhunë. Me Eraldon u martua në qershor dhe më pas u ndanë. Nuk jam në gjendje të flas….Ja kemi lënë drejtësisë këtë punë", tha babai i vajzës.
Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi kishin kurorëzuar martesën e tyre në qershor të vitit 2025 dhe kishin nisur jetën së bashku në Lezhë. Por martesa e tyre zgjati vetëm tre muaj, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes çiftit, që përfunduan me divorc. Pas ndarjes, 25-vjeçarja u zhvendos në Tiranë për të jetuar me motrat e saj.
Burime policore bëjnë me dije se më 9 mars, një ditë para ngjarjes tragjike, ish-bashkëshorti ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe kishte shkuar në banesën e saj në Tiranë.
Dyshohet se mes tyre ka pasur një tjetër përballje, gjatë së cilës i riu mund ta ketë dhunuar. Në këqyrjen paraprake të trupit të pajetë janë konstatuar shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah, ndërsa pritet përgjigjja e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Eraldo Fizin, i dyshuar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim i vetëvrasjes”. Hetuesit po punojnë gjithashtu për të zbuluar edhe se si 25-vjeçarja arriti të sigurojë fostoksinën, një lëndë e rrezikshme dhe e ndaluar për përdorim të pakontrolluar.


