13-vjeçari sulmon mësuesen me spray dhe th'ikë, tentoi ta transmetonte vr'asjen live

Një ngjarje e rëndë ka tronditur një shkollë 9-vjeçare në periferi të Romës, ku një nxënës 13-vjeçar ka sulmuar një mësuese. Ngjarja ndodhi në shkollën “Giovanni Verga”, në rrugën Giovanni Gussone, në zonën e Centocelles, pak pasi nxënësit kishin hyrë në klasa.
Sipas të dhënave paraprake, i mituri i ka hedhur mësueses spray irritues me piper në fytyrë dhe më pas e ka goditur me thikë. Një nxënës tjetër ka ndërhyrë dhe ka arritur ta ndalojë sulmin. Mësuesja u dërgua në spital në gjendje shoku, por nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Një tjetër element që po hetohet nga autoritetet është telefoni që 13-vjeçari kishte me vete. Pajisja ishte e lidhur me Telegram dhe sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se kishte tentuar të filmonte sulmin përmes një telefonate me video live.
Alarmi u dha rreth orës 09:30, pas një telefonate në numrin e emergjencës 112. Në shkollë mbërritën karabinierët e stacionit Roma Centocelle dhe ekipet e urgjencës mjekësore. I mituri është ndaluar, ndërsa dëshmitë e nxënësve dhe stafit po përdoren për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin edhe motivin e sulmit, për të cilin deri tani nuk ka një version zyrtar. Gjithashtu po verifikohet se si 13-vjeçari ka mundur të fusë në ambientet e shkollës thikën dhe spray-n irritues, si dhe nëse kishte pasur më herët konflikte mes tij dhe mësueses.


